Vehbi Kajtazi: 18 vjet nga vrasja e Xhemajl Mustafës – dyshimet e krimit bien mbi PDK-në dhe ShIK-un

Shkruan: Vehbi Kajtazi

Për vite të tëra nuk ishin dhënë detaje për vrasjen e bashkëpunëtorit të Ibrahim Rugovës. Rasti i zbulimit të motivit të vrasjes se tij, ishte një raport i Policisë së EULEX-it. Hetuesit dyshonin se dhjetëra anëtarë të LDK-së janë vrarë vetëm pse ishin kundërshtar të PDK-së. Pavarësisht këtyre dyshimeve, LDK-ja për vite të tëra ka qeverisur me PDK. Vrasjet me motive politike i ka përdorur vetëm në kohë fushatash. Sa ishte në pushtet nuk ka bërë ndonjë veprim konkret për zbardhjen e tyre.

Një komunikatë e shkurtër e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë e gjitha që është bërë të premten për ta përkujtuar, Xhemaj Mustafën, në përvjetorin e 18 të vrasjes.

“Xhemajli shënoi dhe simbolizoi një periudhë të dinjitetit atdhetar e intelektual. Ishte zë i fuqishëm, shumë i respektuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, projektues i ardhmërisë së pavarur të Kosovës, frytet e së cilës vec sa i preku dhe nuk i shijoi. Po vazhdojnë t’i shijojnë ata për të cilët u flijua shkrimtari, intelektuali e patrioti shqiptar i Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Pos, përkujtimeve dhe deklaratave për zbardhjen e vrasjes së tij, nuk është bërë dicka tjetër deri sot. Sot e asaj dite, vrasja e Mustafës, vazhdon të mbetet një nga krimet më të rënda të pazbardhura në Kosovë.

Askush nuk është arrestuar deri tash.

Xhemail Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Mustafa, vdiq në moshën 47 vjeçare, duke lënë prapa gruan, vajzën, Berianën dhe djalin, Besianin. Vrasja e Mustafës, konsiderohet një nga vrasjet më të rënda me motive politike, në një fushatë sistematike, sulmesh, e vrasjesh të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të udhëhequr nga, Ibrahim Rugova.

Hetimet për vrasjen e tij në fillim i kishte udhëhequr Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i.

Sipas versionit të parë të dhënë në atë kohë nga Policia e UNMIK-ut bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, Xhemail Mustafa ishte nga dy persona në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania, teksa kthehej nga puna.

Për vite të tëra nuk ishin dhënë detaje për vrasjen e tij. Rasti i zbulimit të motivit të vrasjes se tij, ishte një raport i Policisë së EULEX-it, i prezantuar në gjykimin e Nazim Bllacës, një anëtar i deklaruar i SHIK-ut, i cili kishte marrë përsipër 17 krime bashkë me grupin e tij kriminal të dënuar tashmë me 47 vjet burgim.

Hetuesit e EULEX-it dyshonin se dhjetëra anëtarë të LDK-së janë vrarë vetëm pse ishin kundërshtar të PDK-së.

Njësia për hetimin e krimit të organizuar e Policisë së EULEX-it kishte renditur dhjetëra raste të vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt të cilat i kishte konsideruar si krime të motivuara politikisht.

Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve në tentativë rrahjeve e kidnapimeve sipas hetuesve qëndron një organizatë e mirëfilltë e financuar mirë.

Ky raport i nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsëorth që kishte të bënte me hetimet e krimeve të ndryshme, theksonte se më 3 tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar” me qellim të shqyrtimit të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to që janë kryer ndërmjet 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me ish-regjimin serb apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në të thuhej se me qellim të përpilimit të këtij shqyrtimi janë studiuar dosjet e rastit origjinale nga UNMIK-u, Policia e Kosovës dhe EULEX-i, si dhe materialet nga burimet e hapura. Shqyrtimi përfshinë vrasjet në tentativë, kidnapimet, zhdukjet dhe lëndimet e rënda trupore. Në secilin rast është dhënë emri, hollësitë dhe përshkrimi i sulmit. Gjithashtu në raport janë dhënë informata në lidhje me lidhjen që viktima ka pasur me regjimin paraprak apo më LDK-në dhe me partitë tjera politike.

“Informatat në vijim janë bazuar në një apo më shumë kombinime të rezultateve të këtyre studimeve”, thuhej në këtë raport.

Raporti theksonte se në vitin 2000, disa vrasje dolën si të motivuara politikisht brenda shumicës se tentimeve të raportuara politike, duke përfshirë hapjet e zjarrit në vozitje e sipër, kidnapime dhe zjarrvënie të cilat thuhet se si synim kanë pasur përfaqësuesit e LDK-se.

“Më 23 nëntor Xhemail Mustafa, bashkëthemelues i LDK-së dhe këshilltar i shtypit i presidentit Rugova ishte vrarë nga persona të panjohur të armatosur në shkallet e hyrjes se banesës se tij në Prishtinë. Sulme kundër anëtarëve të LDK-së kanë ndodhur në shumicën e rajoneve tjera të Kosovës”, thuhej në raport.

“Modelet e vrasjeve që janë theksuar në raport, shënjestrat dhe koha, që të gjitha sugjerojnë së procesi që nuk ishte i rastësishëm, por më shumë i lidhur në një farë forme me një strategji të përgjithshme”, theksonte Policia e EULEX-it.

“Megjithatë, është me rëndësi të ceket se nuk është qëllimi i raportit të konkludojë se çfarë strategjie ishte ajo, mirëpo thjesht të përcaktohet ekzistenca e një strategjie”.

Konkluzioni i dytë sipas raportit që mund të nxirret është se, për t’u kryer këto krime, do të duhej të ekzistonte një organizatë që kishte aftësitë për të identifikuar individët e synuar, aftësitë për të rekrutuar kryesit e veprave në fshehtësi për të kryer këto krime, dhe financat për të mbështetur operacionet.

“Prandaj një organizatë e tillë do të duhej të kishte një madhësi të konsiderueshme, fushëveprimin dhe kompleksitetin me qellim të mbajtjes së shkallës se sekretit dhe të jetë mospërfillëse ndaj vështrimit dhe pikëpamjes publike”.

Sidoqoftë, prej asaj kohe nuk ka pasur më asnjë zhvillim.

Ajo që dihet është se vrasja e Mustafës, është nën hetimin dhe juridiksionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Vrasjet me motive politike janë një nga pistat e hetimeve që po kryen kjo prokurori me seli në Hagë. /Insajderi

SHPËRNDAJE