Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë lë në rrugë 75 nxënës, të indinjuar thonë se do ta braktisin Kosovën

Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që numri i studentëve të rinj të rritet në Fakultetin e Mjekësisë, nuk është zbatuar.

Në vendimin të cilin e kishte marrë ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, thuhej se numri i studentëve do të rritej në Mjekësinë e Përgjithshme, prej 150 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 75 studentë të rinj; Infermieri prej 50 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 59 studentë të rinj.

Por ky vendim i ministrit Bytyqi është kundërshtuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, të cilët edhe kanë vendosur që të mos ketë rritje të studenteve të rinj që do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë.

E gjithë kjo situatë mes Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Ministrisë së Arsimit, ka bërë që tek nxënësit të krijohet një konfuzion mes asaj se a do të ketë rritje apo jo të numrit që pranohen në Fakultetin e Mjekësisë.

Vendimi ministrit Shyqyri Bytyqi për rritjen e numrit të studentëve të ri në Fakultetin e Mjekësisë

Nxënësja Gresa Berisha, është shprehur e zhgënjyer nga kjo situatë.

Ajo ka thënë se ka dy javë që janë duke pritur një përgjigje nëse do të ketë rritje apo jo të numrit të studentëve të rinj.

“Studentët iu kanë drejtuar disa herë Ministrisë së Arsimit dhe Dekanatit , puna ka shkuar si zhagazi pasi që vendimin kryesor ka pasur për ta marrë Këshilli Shtetëror i Cilësisë, si lajm i 26 korriku thotë se KSHC-së shkaku i një vote ka marrë vendim që të mos rritet numri i studentëve. Por në anën tjetër studentëve iu është thënë se Ministria e Arsimit është këmbëngulës dhe që vendimi duhet marrë dhe studentët të pranohen. Sipas Ministrisë duhet vetëm miratimi i Rektoratit dhe Dekanatit, dhe dekanja është në pushim dhe ne po presim për një përgjigje”, ka thënë Gresa Berisha për Telegrafin.

Sipas saj gjatë kësaj periudhe iu është shkaktuar stres i madh.

“Për dallim nga vitet tjera këtë vit është ulur numri i studentëve, mbi 300 studentë e kanë kaluar pragun e kanë plotësuar kushte, suksesin me pesshe, pikët e mjaftueshme. Performancat janë të mjaftueshme që të pranohen”, tha ajo.

Nxënësja Berisha, po ashtu ka thënë se do t’i tërheq dokumentet nga Fakulteti i Mjekësisë, dhe se do të aplikojë për infermiere në Gjermani.

Në profilin e saj zyrtar në Facebook, ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka menduar që do ta braktisë Kosovën, por që vështirësitë që po i has ajo për studime janë të pakalueshme.

I dëshpëruar me numrin e studentëve të cilët do të pranohen këtë vit në Fakultetin e Mjekësisë, është shprehur edhe nxënësi tjetër, Pleurat Krasniqi.

Për Telegrafin ai ka thënë se përveç që nuk ka pasur rritje të numrit të studentëve të ri, këtë vit madje është zvogëluar numri.

“Ne kur kemi aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë kemi menduar se numri është 150 ashtu siç ka qenë çdo vit. Këtë vit e kanë ul numrin në 125 vende, dy ditë para provimit pranues ka dalë një vendim i Ministrisë, që Dekanati, Rektorati dhe Ministria e Shëndetësisë që të rritet numri në Fakultetin e Mjekësisë, puna që kanë nënshkruar marrëveshje me 12 mijë studentë që t’i dërgojnë në Gjermani edhe për shkak se Kosova ka nevojë për doktorë kosovarë, gjatë këtyre ditëve ka dalë edhe një problem që Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ka dashtë që të rritet numri , por çdo vit ka qenë numri 125, por Fakulteti nuk i ka dëgjuar dhe e ka bërë 150 pa marrë vendimin e KSHC-së”, tha ai.

Krasniqi tha se kanë marrë premtime nga Ministria për rritjen e numrit, që të bëhet 225 së bashku me minoritete por që deri tani nuk kanë asgjë të sigurt.

Telegrafi, ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë se çfarë do të ndodhë me vendimin e marrë për rritjen e numrit të studentëve, mirëpo ata nuk iu janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.