Veriu mund të destabilizohet

Vrasja e liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, mund të përcillet me destabilizim të veriut të Kosovës.

Ky është alarmi që jepet nga mbikëqyrësit e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), nga Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, si dhe nga ekspertë të çështjeve të sigurisë.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ditë më parë kishte lajmëruar qytetarët e saj që të kenë kujdes të shtuar në Kosovë e posaçërisht në veri për shkak të terrorizmit.

Në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, që mban datën 10 janar 2018, përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut. Në paralajmërim thuhet se “grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën.

“Terroristët mund të sulmojnë më pak ose pa paralajmërim, duke synuar zonat turistike, qendrat e transportit, tregjet dhe qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike. Përveç kësaj, dhuna e motivuar politikisht ndodh në të gjithë Kosovën”. DASH-i thekson se “tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, në Leposaviç, në Zubin Potok e në Zveçan”.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe po ashtu anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” se paralajmërimi i Departamentit Amerikan të Shtetit do të duhej të merrej seriozisht nga institucionet e sigurisë në vend dhe të bëhen parandalime të sulmeve të mundshme.

SHPËRNDAJE