Veseli: Do t’i ndryshoj prioritetet e Qeverisë për t’iu ofruar më shumë mundësi të rinjve

Lideri i PDK-së ka premtuar se të gjithë do ta shohin ndryshimin në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: t’i ndryshojë prioritetet e Qeverisë dhe t’u ofrojë të rinjve tanë një të ardhme këtu.

“Ta përmirësojmë sistemin e arsimit, t’i mbështesim më shumë sipërmarrësit e rinj, të investojmë në kompani të suksesshme dhe mos t’i ngarkojmë ato me taksa, ta ndalim nepotizmin dhe t’i punësojmë më të mirët, t’u besojmë të rinjve dhe t’ua japim atyre një mundësi të vërtetë për të pasur sukses.

Ne jemi e vetmja parti që do ta bëjmë këtë. Unë kam edhe guximin, edhe vendosmërinë, edhe planin e duhur, për ta bërë këtë”, ka thënë Veseli.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se do t’i jap rinisë sonë mundësi, ashtu siç ka bërë në partinë e tij, duke promovuar ministra të rinj.

“Do të sjellim investitorë të huaj, që do të krijojnë vende pune. Kosova duhet ta bëjë një zgjedhje: me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në krahun tonë, duke ruajtur interesat tona, të shkojmë drejt anëtarësimit në OKB dhe njohjes ndërkombëtare. Si aleatë, do të marshojmë së bashku, drejt një të ardhme më të mirë”, ka thënë Veseli.

 

Ai ka shtuar se nuk do të heqim dorë nga aleatët tanë dhe nuk do të lejojë që dikush ta rrezikojë të ardhmen tonë.

“Ky vend ka të ardhme dhe ne do ta ndërtojmë atë. Së bashku me popullin e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.

Lideri i PDK-së ka thënë se luftimi i korrupsionit, forcimi i ekonomisë, shpresa për të rinjtë në Kosovë, ndërtimi i së ardhmes, të gjitha këto mund të bëhen. Por, sipas tij, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë më lehtë dhe më mirë.

“Së bashku, ne do ta kthejmë shpresën në Kosovë dhe do ta ndërtojmë të ardhmen: për ty dhe shtetin. Kushdo që beson në këtë të ardhme, le të na bashkohet sot. Së bashku, mundemi. Së bashku, do të fitojmë”, ka thënë ai.

Më 6 tetor, Veseli ka kërkuar që të gjithë të bëhen bashkë dhe ta votojnë Partinë Demokratike të Kosovës.

“Votojeni adresën më të besueshme dhe më të fuqishme politike në Kosovë, me numrin më të mirë: 112”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE