Veseli “godet” Kurtin në Podujevë: Mos i votoni ata që po rrezikojnë Kosovën dhe partneritetin me SHBA-të

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha sonte në hapje të fushatës zyrtare në Podujeve se kandidati Naim Fetahu është i vetmi që mund të sjell ndryshimet e duhura në këtë komunë të keqqeverisur për 20 vjet.

Lideri i PDK-së ftoi llapjanët që mos tu besojnë votën partive që po rrezikojnë Kosovën dhe po promovojnë antiamerikanizmin.

“Mos i përkrahni ata të cilëve mund t’ua shohim sherrin. Ata që po rrezikojnë Kosovën dhe të ardhmen tonë duke promovuar antiamerikanizmin. Mos i votoni ata. Podujeva meriton më mirë. Podujeva meriton më shumë. Ndryshimin mund ta bëjë Naimin Fetahu”, tha Veseli.

“Me 15 mars, Naimi ka nevojë për përkrahjen tuaj. Por, mos harroni, me 15 mars, Podujeva ka nevojë edhe më shumë për përkrahjen tuaj.Bëhuni bashkë sepse Podujeva meriton më shumë. Podujeva meriton më mirë”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së theksoi se për 20 vjet, Podujevën e kanë qeverisuar ata që vetëm qytetarin nuk e kishin prioritet.

“Dy kundërkandidatët e Naimit, po vazhdojnë të premtojnë por nuk e di çka mund të premtojnë ata. Qe 20 vjet kanë qenë në qeverisje – ndërkohë shikone gjendjen e qytetit. Kanë qenë edhe drejtor të arsimit, e arsimi është si mos më keq në Podujevë. PDK është me fat që ka Naimin si kandidat. Ai i din problemet e Podujevës. Ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në të gjitha epokat. Si në luftë, si në paqe. Duke përkrahur Naimin, do të përkrahni ndryshimin”, tha Veseli.

Nga ana e tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, tha se qe dy dekada, Podujeva për të cilën dhanë aq shumë qytetarët, është në gjendje të mjerueshme nga qeverisja e keqe.

“Këtë gjendje e ka sjellë LDK. Drejtorët e Agim e Veliut nuk mund të jenë më alternativa. Ka ardhur momenti që Podujeva të ndryshoj për të mirë. Podujeva meriton më mirë. Unë, me një qeverisje komunale e cila do të ketë gjysmën e drejtorive të udhëhequra nga gratë, do të punojmë pa ndalur për qytetin dhe qytetarët tanë.

Do të mbështesim bizneset, bujqit. Do të rregullojmë infrastrukturën e rrënuar. Do të ndërtojmë shkolla dhe çerdhe të reja. Do t’ia kthejmë qytetit tonë lavdinë. Prandaj, me 15 mars votoni numrin 10, numrin e ndryshimit”, tha Fetahu para qindra qytetarëve të Podujevës.

SHPËRNDAJE