Veseli për vizat: Është për të ardhur keq që Kosova po paguan një çmim të padrejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka përshëndetur Samitin e Zagrebit të mbajtur dje mes Liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të Partisë Popullore Europiane.

Sipas tij, ky samit e la të zbehtë perspektivën e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kjo sipas tij, nuk duhet të na dekurajojë për të vazhduar me reformat e integrimit evropian sepse në fund të fundit bëhet fjalë për të arritur standarde që iu shërbejnë së pari interesave të qytetarëve të Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:

Përshëndes Samitin e Zagrebit të mbajtur dje mes Liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të Partisë Popullore Europiane si një konfirmim i kujdesit të BE-së për rajonin tonë. Falënderoj liderët e Bashkimit Europian për mbështetjen bujare që kanë dhënë për të përballuar luftën kundër koronavirusit. Vlen të theksohet edhe angazhimi i dalë prej Deklaratës së Zagrebit, për të ndërmarrë një plan të fuqishëm investimesh për rajonin tonë në një kohë të dytë. Kjo gjë do të na ndihmonte shumë për t’u rimëkëmbur pas dëmeve të mëdha ekonomike që na ka shkaktuar koronavirusi.

Mirëpo është për të ardhur keq që Kosova po paguan një çmim të padrejtë, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Qytetarët tanë kanë mbetur të vetmit që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, përkundër faktit që Kosova i ka përmbushur prej vitesh të gjitha kriteret e kërkuara. Ky samit gjithashtu e la të zbehtë perspektivën e zgjerimit të vendeve të rajonit, por kjo gjithsesi nuk duhet të na dekurajojë për të vazhduar me reformat e integrimit evropian sepse në fund të fundit bëhet fjalë për të arritur standarde që iu shërbejnë së pari interesave të qytetarëve tanë.

SHPËRNDAJE