Veteranë të vërtetë reagoni, komandantët po bëjnë pazar votash me statusin tuaj

Shkruan: Shpend Gudaqi

Rreth 19 mijë veteranë që sot paguhen nga buxheti i shtetit e kanë siguruar statusin kundërligjshëm. Këtë e tha vet Kryeprokurori i Shtetit, dhe për këtë gjë konfirmoi se janë siguruar provat në hetimet që po zhvilloheshin mbi këtë çështje.

Sigurisht se 19 mijë është vetëm gjysma e numrit të veteranëve të rrejshëm. Nga 60 mijë veteranë sa janë sot, armët për të luftuar i kanë kapur maksimalisht 20 mijë prej tyre. Këtë numër e vërtetojnë edhe njerëz që kanë qenë lartë në hirearkinë e udhëheqjes së UÇK-së dhe të dhëna të organizatave të ndryshme që nga lufta. Po të heqim edhe dezertorët nga lista e ndoshta aty-këtu edhe ndonjë bashkëpunëtor të regjimist serb që sot është bërë veteran i luftës, numri mund të zvogëlohet aq shumë sa të na turpërojë të gjithëve, prandaj s’po hyjmë një herë andej kur e kemi një problem më të madh para vetes: dyfishimin e numrit real të veteranëve.

Manipulimi masiv me listat e veteranëve është një ndër dëshmitë më të mira se si politikanët e paluftës në Kosovë e kriminalizojnë çdo proces për ta zgjatur kohën e tyre në pushtet, duke i joshur me bukë mbijetese qytetarët që kanë mbetur të varfër e pa shpresë në shtetin që kontrollohet prej tyre. Sepse, statusi i veteranit te shumica e tyre ka kuptim financiar. Sot të jesh veteran do të thotë e ardhur mujore, jo nder, lavdi e dëshmi sakrifice dhe atdhedashurie.

Në një rrethanë normale, veç statusit, veterani nuk do të duhej të kompensohej financiarisht fare, sepse kështu mercenarizohet kontributi e sakrifica e tij, por në realitetin e frikshëm në Kosovë është vështirë t’ia kërkosh dikujt këtë gjë. S’do duhej të kompensoheshin as komandantët me pushtet të pakufishëm e pasuri të pafundme, paraprakisht.

Megjithatë, veteranët e rrejshëm nuk  mund t’i shoh me përbuzje e vetëm kritika. Ata janë qytetarë të Kosovës, që është shumë e vështirë të jesh, dhe shumica e tyre pensionin e veteranit e shohin si të ardhur mbijetese, në mungesë të perspektivës e mirëqenies në Kosovë. Fundja si mund t’i quajmë mashtrues veteranët e rrejshëm që marrin 170 euro para qeveritarëve që janë bërë milionerë dhe ende keqpërdorin, ende korruptohen dhe ende mbajnë në duar fatin e keq të një populli? Veteranët e rrejshëm duhet ta dinë se shpëtimin nga mjerimi i shtetit tonë duhe ta kërkojnë në tjera forma, duke kundërshtuar e protestuar për të ardhme më të mirë, e jo duke u dorëzuar e nënshtruar për një të ardhur mbijetese.

Kjo çështje si dhe shumë të tjera duhet zgjidhur, sepse statusi i veteranit nuk është vetëm e ardhur financiare. Është më së paku e ardhur financiare dhe insistimi  duhet të vijë nga veteranët e vërtetë, sepse më së shumti kompremetohen ata vet. Veteranët e vërtetë, që janë dyfish më pak se veteranët e rrejshëm, duhet ta tregojnë të vërtetën pa frikën e komandantëve të tyre të korruptuar që bëjnë pazare votash me statusin e tyre. Ata duhet të tregojnë se kush ishte, e kush nuk ishte në luftë. Ata nuk duhet të lejojnë që t’u fyhet sakrifica e kontributi në luftë për shkak të interesave të disa komandatëve politikanë të kriminalizuar thellë, të cilëve tash s’u ka mbetur rrugë tjetër përveçse ta korruptojnë të gjithë popullin për mbetje në pushtet.

Nëse veteranët e vërtetë s’ia kanë pasur frikën fashizmit serb, pse duhet t’ia kenë frikën ish-komandantëve të tyre që janë shndërruar në biznesmenë? Pse duhet të bëheni pjesë e krimit të tyre kur krejt çfarë përfitoni ju janë 170 euro. Mendojeni, janë mbi 70 ushtarë të UÇK-së që kanë kryer vetëvrasje në Kosovën e pasluftës, një pjesë e tyre drejtpërdrejt për arsye financiare, përderisa komandantët politikanë lahen në luks.

Po ta mendosh edhe matematikisht, pensioni i veteranit nuk zgjidh problemin e varfërisë të asnjë personi që e merr. Një shtet zhvillimor e i drejtë të ardhura meritore do t’u ofronte invalidëve të luftës e familjeve të dëshmorëve që s’kanë njerëz të aftë për punë, por jo veteranëve që janë të shëndoshë e mund të punojnë. Veteranëve e të gjithë qytetarëve duhet siguruar punë, ku paraja fitohet dinjitetshëm, e jo t’u jepen pensione vetëm sa për t’ua marrë votën.

Votë me luftën e dëshmorëve, votë me luftën e invalidëve të luftës, votë me luftën e veteranëve të luftës. Mosreagimi të bën pjesë të krimit, të shndërron në dezertor, edhe tash dy dekada pas luftës, sepse lufta e përkushtimi për kombin nuk përfundojnë asnjëherë.

SHPËRNDAJE