“Veteranët do të marrin pensionet në mënyrë retroaktive”

Po bëhen gati dy muaj që kur veterënët e luftës nuk kanë marrë pensionet, kjo si pasojë e mos rishikimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se presin që gjatë kësaj jave të bëhet miratimi i buxhetit dhe pagat të marrin në mënyrë retroaktive.

“Për pa dalë në parlament buxheti me u aprovu pagat nuk mund të dalin, por pagat janë nda për veteran deri në janar. Por, rishikimi i buxhetit nuk ka dalë në parlament për me u aprovu dhe për këtë arsye ka ngecë që ne nuk kemi mujt me i marrë pagat, por ato janë të siguruara deri në muajin janar”, ka thënë ai për Indeksonline.

Gucati ka thënë se kanë fjalën e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të financave Bedri Hamza se pagat do të dalin shumë shpejtë.

“Besojë këtë javë do të del në parlament çështja e buxhetit. Ne kemi fjalën e kryeministrit dhe ministrit të financave se pagat do të dalin shpejtë. Momentin që do të votohet dhe të bëhet rishikimi i buxhetit atëherë pagat do të dalin, dhe do të dalin për dy muaj, do të dalin në mënyrë retroaktive”, ka theksuar ai.

Gucati ka thënë se ka pas ankesa të shumta për vonesa, megjithatë kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët duke e pas parasysh që fondet janë të ndara.

“Kemi pas shumë ankesa, kemi pas shumë thirrje që janë ankuar duke thënë se nuk është mirë që po vonohen kaq shumë. Megjithatë me bashkëbisedime kemi arritur që të gjejmë një gjuhë të përbashkët, duke ua bërë me dije se fondet janë të ndame”, ka shtuar ai. 

SHPËRNDAJE