Veteranët të vendosur për protesta dhe mospjesëmarrje në zgjedhje

Ministria e Financave ka deklaruar se nuk do të ketë pensione për veteranët derisa të mos votohet rishikimi i buxhetit në Kuvend. E rishikimi i buxhetit në Kuvend parashihet të bëhet javën që vjen. Të paktën kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Sipas tij, në fillim të muajit të ardhshëm veteranët do t’i marrin pensionet, duke iu premtuar atyre se nuk do të vonohen kurrë më.

“Parlamenti në javën që vjen do ta votojë rishikimin e buxhetit. Në fillim të muajt tjetër veteranët kanë me i marrë parat, por më kurrë s’kanë me u vonuar. Pse? Sepse çdo herë ka me përfunduar një vit më përpara dhe kurrë më mos me u bë temë kjo çështje. Unë e di që jemi vonuar, por i vonuan ata që kanë qenë para nesh dhe nuk i kanë përfunduar punët dhe i kanë lënë kështu”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Që kjo gjë të shkojë sipas procedurave ligjore është edhe vet kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, mirëpo ai bën thirrje që të bëhet një zgjidhje dhe të ju dalin sa më parë pagat.

Në një prononcim për Indeksonline, Hysni Gucati thotë se familjarët e veteranëve dhe fëmijët e tyre kanë mbetur pa para që 3 muaj dhe kjo për ta është shumë e vështirë.

“Pash deklaratën e ministrit Hamza, unë nuk jam që institucionet të mos veprojnë në mënyrën ligjore por ne kemi hyrë në muajin e tretë pa paga. E unë do i them ministrit Hamza le ta provojë të rrijë pa pagë dhe le ta shikon si po reagon familja e fëmijët e tij si në rastin tonë që fëmijët dhe familja nuk ka paga”, ka thënë ai.

Ai fajëson vet institucionet për këto vonesa.

Përkundër deklaratës së ministrit të Financave, Gucati paralajmëron se do organizohet protesta nëse pagat nuk ju dalin deri në ditën e premte.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se të premten do dal me një deklaratë, ku do ju bëj apel gjithë veteranëve që të mos dalin në zgjedhje dhe të mos votojnë asnjë subjekt politik.

“Deri të premten nëse nuk do na dalin pagat, atëherë do dal me deklaratë për t’iu bërë apel të gjithë veteranëve të mos dalin në zgjedhje. 4 vite do të shkojnë shumë shpejt dhe kjo do të ketë pasoja pas 4 viteve për të gjitha partitë. Nuk kemi paralajmëruar për protesta me datë të caktuar por shumë shpejt besoj se do të dalim me një vendim dhe me siguri që do të dalim në rrugë. Kam thënë disa herë që nuk e preferojmë daljen në rrugë, por këtë po na detyrojnë vet institucionet e Kosovës”, ka shtuar Gucati./Indeksonline/

SHPËRNDAJE