Veton Surroi thotë se flamuri i Kosovës është si peshqir i hoteleve turke

Publicisti Veton Surroi ka folur sërish për flamurin e Kosovës. E quan ‘peshqir të hoteleve turke” dhe thotë se nuk përfaqëson Kosovën.

Ky reagim i tij vjen meqë Ministria e Drejtësisë qenka në përgatitje të një kodi penal me të cilin dënon deri në tri vjet burgim ata që fyejnë ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës.

Duke ironizuar, ai pyet se sa do e dënoj gjykatësi deklarimin e tij për flamurin që e quan ‘peshqir i hoteleve turke’, raporton periskopi.com

Shkrimi i tij i plotë:

Ministria e Drejtësisë përgatitka një kod të ri penal me të cilin sërish mund ta rikthejë deliktin verbal. Në ish Jugosllavi ishte neni famëkeq 133 , e Ministria e Drejtësisë e paska bërë 134. Në të , në pikën c shkruhet kështu:

Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:

1.1. fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose

1.2. fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.

Termat si “fyerje” apo “përbuzje me keqdashje” u lihen interpretimit të lirë të gjykatësit që është tipike për deliktet verbale. Ajo çka mund të jetë fyerje a përbuzje për dikë nuk është për dikë tjetër; por këtë tashmë do ta përcaktojë gjykatësi sipas shijes së vet.

Sa për informim paraprak të Ministrisë së Drejtësisë, konsideroj dhe kam shkruar se flamuri i Kosovës më shumë i ka hije një peshqiri të hoteleve turke (me gjashtë yje) se sa përfaqësimit të këtij vendi. Të njëjtën gjë jam i gatshëm ta përsëris edhe nëse aprovohet ky ligj.

Si do ta vlerësonte gjykatësi këtë deklarim të hapur timin ??

SHPËRNDAJE