Visar Imeri me akuza të rënda ndaj kryeministrit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan Periskopi.

Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet projektligji për rishikimin e buxhetin, Ymeri ka thënë se kryeministri financat e shtetit ia ka lënë PDK’së, ndërsa vetë po merret me shkarkimin e bordeve.

Ai ka folur edhe për parashikimet për rritjen ekonomike në Kosovë, ashtu siç e prezantoi ministri i Financave, Bedri Hamza.

Sipas Ymerit, në bazë të parashikimeve të Hamzës, rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2017 do të jetë 1,5 për qind, jo 4 për qind.

“Rritja ekonomike i bie të jetë 1,5 për qind, jo ashtu siç po thotë Hamza 4,0 për qind. Kryeministri erdh gjysmë ore e nuk u kthye më. Kjo tregon se si po punon në Qeveri. Financat ia ka lënë PDK’së e vetë merret me shkarkime të bordeve. Projektligji që e kemi përpara nuk është për rishikim të buxhetit, e vështirë mund të quhet buxhet. Në pjesën e të hyrave nuk ka ndryshuar asnjë shifër e vetme. Shpenzimet duhet rritur vetëm atëherë kur investimet të ndikojnë në rritje ekonomike. Në Kosovë ka shkurtime, e rrudhin potencialin e mirëqenien. Tek ne pasuria shkon tek ata që janë lartë, e jo tek qytetarët. 10 vite që jemi shtet, asnjë ditë nuk po sjell asnjë gjë të re. Po lëvizim nga Bedri Hamza te Besim Beqaj e Avdullah Hoti, e kështu”, ka thënë Ymeri./Periskopi

SHPËRNDAJE