Vizat u refuzohen kosovarëve më shumë se afrikanëve

Kosovarëve u refuzohen më shumë vizat se sa afrikanëve.

Instituti EPIK ka publikuar një studim sipas të cilit Kosova në vitin 2018, kishte shkallë më të lartë të refuzimit të vizave se sa Egjipti, Guinea-Bissau, Burkina Faso apo Palestina, transmeton Koha.net.

Sipas këtij studimi në periudhën 2014-2018, gjithsej 413,569 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta 281,826 kanë marrë vizë Schengen.

Në vitin 2018, gjithsej 90,840 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Schengen. Nga ta 63,424 kanë marrë vizë Schengen. Shkalla e refuzimit të vizave ishte 21.6%. Në vitin 2018, shkalla e refuzimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për pajisje me vizë Schengen është përkeqësuar krahasuar me vitin 2017, nga 19.6% (2017) në 21.6% (2018).

Në vitin 2018, më së shumti aplikacione për vizë janë bërë në Gjermani me 32,529 aplikacione, nga cilat u miratuan 25,058, Zvicër me 30,712 aplikacione, nga cilat u miratuan 24,504 dhe Greqi me 6,922 aplikacione, nga cilat u miratuan 6,039.

Në vitin 2018 Kosova ishte në vendin 39 nga të gjitha vendet e botës për nga shkalla e refuzimit të vizave për vizë Schengen. Kështu, Kosova ishte e ranguar më dobët se sa Egjipti, Guinea-Bissau, Burkina Faso apo Palestina të cilët kanë pasur shkallë më të ulët të refuzimit të vizave se Kosova në vitin 2018.

Në veçanti është me vlerë krahasimi i shkallës së refuzimit të vizave të Kosovës me dy vende të fundit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave në vitin 2017 – Gjeorgjia dhe Ukraina. Në vitin 2016, Gjeorgjia kishte shkallen e refuzimit të vizave prej 12.1%, ndërsa Ukraina 3.2%.

SHPËRNDAJE