Vjen lajmi i madh për Kosovën

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Kosovë, Burim Ramadani, ka thënë që Kosova do të jetë anëtari i 31 i NATO-s. Sipas tij, Kosova është e gatshme qysh sot të fillojë procedurat e anëtarësimit.

Në shkrimin e hedhur në “Facebook”, zëvendësministri ka theksuar se Ballkani Perëndimor është i sigurt, stabil dhe në paqe vetëm me zgjerimin e NATO-s, dhe që Kosova është shteti i radhës që duhet të bëhet anëtare pas Maqedonisë së Veriut.

Për më shumë shkrimi i plotë i Burim Ramadanit:

Zgjerimi i NATO-s vazhdon me Kosovën

Ballkani Perëndimor është i sigurt, stabil dhe në paqe vetëm me zgjerimin e NATO-s. Kosova është shteti i radhës. 
Prezenca e NATO-s në Ballkan, qoftë përmes misioneve, qoftë përmes bashkëpunimit, duhet të vazhdojë. Porse, mënyra e vetme për të pasur paqe të qëndrueshme është që zgjerimi i NATO-s të mos përfundojë. 
Kosova është e gatshme qysh sot të fillojë procedurat e anëtarësimit. Para kësaj, një rrugë specifike për Kosovën duhet gjetur nga vet NATO-ja. Më e mira patjetër se do të ishte njohja apo moskundërshtimi nga shtetet jo-njohëse brenda Aleancës. Sidoqoftë, zgjerimi i NATO-s edhe më tutje në Ballkan është garancë për përballje efektive dhe të përbashkët ndaj aktiviteteve armiqësore në rritje të Rusisë.

Kosova do të jetë anëtari i 31-të i NATO-s.

SHPËRNDAJE