Vjen një lajm i keq për Mimoza Kusari-Lilën

Aleanca Kosova e Re ende nuk ka vendosur nëse do ja mbajë krahun ish- zëvendëspresidentes së kësaj partie, Mimoza Kusari –Lilës në garën e 19 nëntorit për fitimin e Komunës së Gjakovës.

Lila, tani kandidate nga radhët e Alternativës, njëkohësisht edhe kryetare e këtij subjekti nuk e ka të sigurt përkrahjen nga ish – shtëpia e saj ku shërbeu për 7 vite, madje ishte në pozitë udhëheqëse menjëherë pas kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli.

Ish- deputetja e AKR-së, Myzejine Selmani ka thënë se partia e saj ende nuk ka vendosur kënd ta përkrahë në Gjakovë. Pasi se siç thotë ajo, vendimi duhet të merret nga këshilli drejtues i AKR-së.

“Ende nuk ka vendosur partia se cilët kandidatë do ti përkrahë. Jo, jo, nuk mundem me thënë asgjë se kurrëfarë vendimi brenda Aleancës për Kosovën e Re nuk ka. Domethenë vendimi brenda AKR-së cilët kandidat me u mbështet ende nuk ka”, ka thënë Selmani.

Më tej, ish deputetja thotë se vendimi do merret kur të kthehet kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli në Kosovë.

“Ne duhet me marrë vendim e gjithë partia, në secilën komunë ku ka balotazhe. Nuk është kryetari i partisë për momentin në Kosovë është në udhëtim zyrtar, kështu që kur të merret vendimi në parti do e bëjmë publike kush kënd e përkrahë”, ka deklaruar Selmani.

Në anën tjetër, edhe pse redaksia ka tentuar të marrë një përgjigje karshi përkrahjes së Lilës në raundin e dytë të zgjedhjve, Selmani ka insistuar se vendimi i tyre do jetë neutral.

Ndonëse Selmani nuk ka ka dashur të komentojë ish- pjesëmarrjen e Lilës në AKR-, ajo ka ripërsëritur se vendimi i takon vetëm këshilllit drejtues të partisë.

“Unë nuk dua të komentoj e as të paragjykoj atë, por po them shumë sinqerisht se akoma nuk është mbledh këshillit drejtues e as kryesia me dhanë konkludim cilin kandidat në secilën komunë me e përkrahë në balotazhe”, ka përfunduar Selmani.

SHPËRNDAJE