Vjen nje lajm i mirë për importuesit e veturave, ja kur bëhet ndryshimi i Ligjit për Automjete

Inicimi i plotësim ndryshimit të ligjit për importin e veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, ka ngjallur reagime dhe kundërshtime të shumta, si te Ministria e Infrastrukturës, shoqëria civile dhe te përfaqësuesit e Odave Ekonomike në Kosovë.

Kësisoj, me këtë plotësim ndryshimi qytetarët nuk do të mund të importojnë vetura në Kosovë të cilat janë më të vjetra se 15 vite, përkatësisht prej vitit 2004.

Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal për të mësuar se deri ku ka ardhur ky proces.

Udhëheqësi i grupit punues të këtij plotësim-ndryshimi të Ligjit për Automjete, Muharrem Nitaj ka thënë se Projektligji për Automjete tanimë ka kaluar në Komision. Sipas tij, tani janë në pritje që të thirret seanca e legjislativit dhe i njëjti të votohet nga deputetët.

Deputeti i AAK-së shprehet optimist se Projektligji në fjalë do ta merr dritën jeshile nga ana e deputeteve.
“Grupi punues për plotësim-ndryshimin e Ligjit të automjeteve, që e kam udhëhequr unë e ka kryer punën e vet dhe Projektligji ka kaluar në Komision. Opinioni publik është njoftuar me ndryshimet.

Tani projektligji pritet të dalë në seancë plenare dhe seanca, me votë, e kalon ose jo. Unë shpresoj se do të votohet shpejt dhe ta marrë dritën jeshile”, ka thënë Nitaj për “Indeksonline”.

Ndërsa, sa i përket çështjes së Doganës, e që është organ më i lartë. Zyrtarë të këtij institucioni kanë bërë të ditur se janë në pritje të vendimit të Kuvendit.

Adriatik Stavileci, ka thënë për Indeksonline se pasi që të votohet nga deputetët atëherë Dogana e ka të detyruar që të ekzekutojë këtë vendim.

Ndryshe, disa deputetë të Kuvendit janë shprehur se për të marrë një vendim të tillë duhet të shikohen impakti në tri drejtime, atë mjedisor, social dhe i sigurisë. Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi pati thënë se ‘Euro 4’ është jashtëzakonisht i qëlluar, pasi e aderon problemin ambiental, sepse lirimi i gazrave sipas standardeve Euro 4 janë të pranueshme në krejt vendet e Bashkimit Evropian.

SHPËRNDAJE