Vjen një lajm për liberalizimin e vizave

Bashkimi Evropian është duke provuar që të rikthehet dhe të marrë rolin kryesor në çështjen e negociatave Prishtinë-Beograd pas një pune intensive disa mujore të emisarit të Trump, Richard Grenell, që rezultoi me disa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Një involvim i tillë i amerikanëve ka aktivizuar shtetet më të fuqishme të BE’së të cilat në vitin 2019 drejtonin përpjekjet për kthimin e Prishtinës dhe Beogradit në dialog me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale.

Gjermania e kancelares Angela Merkel dhe Franca e presidentit Macron janë angazhuar që të implementohet marrëveshja për energji mes Prishtinës dhe Beogradit gjë që rezultoi me pavarësimin e Kosovës në fushën e energjisë. Një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel megjithatë nuk ishte respektuar nga Serbia.

Por a do ta shfrytëzojë Bashkimi Evropian politikisht edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për t’iu revanshuar SHBA’së në proesin e dialogut.

Sipas analistit gjerman, Bodo Weber, çështja e liberalizimit të vizave nuk do të shfrytëzohet politikisht nga BE’ja, por thotë se nëse Brukseli dëshiron të rikthejë kredibilitetin e humbur përgjatë dy viteve të fundit, duhet t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave.

“Shpresoj se BE ka mësuar sa duhet nga zhvillimet e javëve dhe muajve të fundit. Përgjegjësia para së gjithash qëndron tek Bashkimi Evropian, pas humbjes së besueshmërisë që evouloi gjatë dy viteve të fundit e që u rëndua nga bllokimi që Macron i bëri Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Për ashtu, hapi i parë për të riparauar besueshmërinë do të ishte dhënia e liberalizimit të vizave”, ka thënë Weber.

Weber thotë se për procesin e liberalizimit të vizave rol kyç kanë Gjermania dhe Franca. Sipas tij, Berlini duhet që menjëherë të jep sinjale të qarta që mbështet Kosovën për të arritur më pas tek Franca.

“Sikur për çdo gjë tjetër përfshirë edhe dialogun, unë shoh rolin kryesor të Gjermanisë dhe Francës. Berlini duhet që menjëherë të japë sinjale të qarta që mbështet Kosovën, për të arritur më pas tek Macron. Kjo është mënyra e vetme për të pasur një pajtim tek të gjitha shtetet anëtare, qoft në Samitin e Zagrebit apo në një moment tjetër të mëvonshëm gjatë këtij viti”, ka shtuar Bodo Weber.

Tutje analisti dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë se ka frikë që shtetet të cilat janë duke e bllokuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën do të shfrytëzojnë situatën e re politike në vend për të argumentuar edhe më shumë kundërshtimin e tyre.

“Megjithëse kam frikë se e gjithë historia për votimin e mosbesimit për qeverinë aktuale në detyrë dhe krijimi i një mazhorance të re, qasja e qartë instrumentale nga aktorët kryesorë politikë në Prishtinë ndaj kushtetutës së tyre, u jep municion të freskët atyre vendeve anëtare që po bllokojnë liberalizimin e vizave”, thekson Weber.

Weber ka folur edhe rreth mundësisë së krijimit të qeverisë së re, dhe rreth asaj se me kë do të punojë kryeministri potencial i LDK’së sa i përket dialogut me Serbinë.

Weber thotë se LDK bashkë me partnerët e koalicionit kanë treguar qartë se me kë do të punojnë sa i përket dialogut kur kanë vendosur ta votojnë mocionin e mosbesimit, mocion të cilin e kundërshtuan Gjermania dhe Franca me një demarsh.

“Lidershipi i LDK’së, kryeministri i caktuar dhe përafqësuesit e koalicionin e kanë bërë tashmë të qartë, kur publikisht ata shtynë përpara mocionin e mosbesimit dhe e votuan atë” , ka thënë Bodo Weber për Express.

Weber thotë se megjithatë nga LDK pretendojnë se ka bazë për të punuar sëbashku me Grenellin dhe BE’në “pavarësisht faktit se Grenell refuzon çfarëdo bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.

I pyetur nëse pret që të arrihet shpejtë një marrëveshje Kosovë-Serbi e drejtuar nga Ëashingtoni pasi të marrë LDK pushtetin në Kosovë, Weber thotë se duhet të pritet se çfarë do të ndodh.

Ai shton se Grenell ka insistuar se s’do të ketë negociata për shkëmbim të territoreve, por thotë se veprimet e tij dhe të Thaçit nuk do të kishin kurrfarë kuptimi nëse vërtet do të bëhej fjalë për një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

“Unë ende besoj se fuqitë dhe aktorët që përkrahin shkëmbimin e territoreve nuk mund të mbizotërojnë, marrë parasysh se kthimi në konceptet etnoterritoriale të viteve 1990-ta do ta kthenin rajonin në kaos dhe në një rajon të rrezikshëm”, ka përfunduar Weber.

SHPËRNDAJE