Vjen paralajmërimi drithërues i VV-së për LDK-në: Duhet të kthehemi edhe njëherë tek sovrani

Deputetja e VV-së Arbërie Nagavci ka paralajmëruar se nëse nuk do të mund të arrihet marrëveshje ndërmjet dy partive, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

Ajo, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar në lidhje me marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Duke qenë se 26 dhjetori është dita kur duhet të konstituohen institucionet e vendin, përveç kësaj është dita kur VV dhe LDK, paraprakisht duhet të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nagavci, ka bërë të ditur se në interes të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me LDK-në, ata janë pajtuar që të propozojnë për kryesues/e të Kuvendit një kandidat/e të LDK-së, ndonëse, sipas saj, kjo e drejtë u takon atyre si fitues të zgjedhjeve.

“Jemi pajtuar të ndajmë përgjegjësitë udhëheqëse ministrore në mënyrë të barabartë”, ka shkruar ajo.

Ndërsa ka thënë që partia e saj është e interesuar të flas për presidentin, dhe thekson se janë të interesuar ta gjejnë një kandidat ose kandidate të denjë.

“Mund të flasim dhe për presidentin, madje jemi të interesuar të punojmë seriozisht në gjetjen e një kandidati ose kandidateje të denjë, konsensuale e që paraqet unitetin e popullit, ashtu si e kërkon kushtetuta. Andaj pasi të jemi dakorduar plotësisht për qeverisjen, mund të angazhohemi seriozisht për pozitën e të parit apo të parës së vendit. Me mirëkuptim, me seriozitet e dashuri për vendit, ndryshe duhet të kthehemi dhe një herë tek sovrani”, theksoi ajo.

Takimet e deritanishme për arritjen e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe LDK-së si parti e dytë kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje.

Krerët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa duket se nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët sa i përket postit të presidentit.

SHPËRNDAJE