Vjen paralajmërimi i SHBA-së për Serbinë pasi bleu armë nga Kina

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi tha më 10 gusht se përzgjedhjet që bën ky vend për blerjen e armatimit, duhet të pasqyrojnë qëllimin e deklaruar të politikës së Serbisë për një integrim më të gjerë evropian.

“Ne e pranojmë që blerja e pajisjeve ushtarake dhe mbrojtëse është një vendim sovran. Sidoqoftë, qeveritë duhet të kuptojnë rreziqet dhe kostot afatshkurtra dhe afatgjata nga të bërit biznes me kompanitë kineze”, tha ambasada në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigjjen e ambasadës thuhet se shtetet duhet të jenë në gjendje të besojnë se blerja e këtyre pajisjeve nuk do të dëmtojë sigurinë e tyre kombëtare ose sovranitetin e tyre ekonomik.

“Ky besim nuk mund të ekzistojë kur shitësit e pajisjeve ushtarake dhe të mbrojtjes i nënshtrohen një qeverie autoritare si ajo e Republikës Popullore të Kinës”, thotë ambasada.

SHBA-ja e inkurajon Serbinë që të angazhohet për një lidhje më të ngushtë me politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së.

“Ka shitës tjerë që nuk u detyrohen regjimeve autoritare dhe të cilët ofrojnë pajisje që janë të afta për të përmbushur nevojën e mbrojtjes së Serbisë dhe të krahasueshme në cilësi dhe kosto”, theksoi Ambasada.

Radio Evropa e Lirë kërkoi qëndrimin e ambasadës amerikane pas blerjes së fundit të armatimin kinez nga ana e Serbisë.

Serbia ka blerë një gjeneratë të raketave me rreze të mesme tokë-ajër nga Kina, duke dhënë shenja për thellim të bashkëpunimit në mes të Pekinit dhe Beogradit.

Blerja e sistemeve raketore për mbrojtje, FK-3, është përfshirë në raportin vjetor të kompanisë shtetërore për armët, Jugoimport SDPR, që i është dërguar Agjencisë për Regjistra të Biznesit, ka transmetuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje në lidhje me këtë çështje edhe Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Serbia gjithashtu bleu nga Kina gjashtë dronë ushtarakë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte më 4 korrik në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, ku zyrtarët ushtarakë shfaqnin dronët e parkuar ndërsa gazetarëve u dha një mundësi për të fotografuar këto pajisje ushtarake.

  • ETIKETIMET
  • 2
SHPËRNDAJE