Vjen reagimi nga IPKO: Për shitjen e biletave vetëm zbatojmë vendimet e FFK-së

Pas incidenteve me rastin e shitjeve të biletave për ndeshjen në mes të Kosovës dhe Maltës, e cila zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka ardhur edhe reagimi nga IPKO.

Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në këtë kompani ka thënë se ata vetëm zbatojnë vendimet e FFK-së, në raport me shitjen e biletave. Ka thënë se presin mirëkuptim nga sportdashësit.

Përmes një njoftimi për media, IPKO thotë se e kupton rëndësinë e secilës ndeshje të përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të Ligës së Kombeve si dhe e kupton dëshirën e madhe të secilit qytetar që të përkrahë në mënyrë aktive përfaqësuesen tonë në fushë.

“Megjithatë, ju bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të futbollit, që të kenë mirëkuptim dhe durim gjatë procesit të blerjes së biletave. Sot në orët e pasdites, gjatë procesit të shitjes së biletave, janë shënuar disa incidente, të cilat nuk i përkrahim dhe për më shumë, i dënojmë. Duam t’ju informojmë që IPKO, vetëm e lehtëson procesin e shitjes së biletave. IPKO-ja në këtë rast, zbaton vendimet e Federatës së Futbollit, siç janë mënyra e shitjes së biletave, pikat e shitjes, vendndodhja dhe koha e shitjes, si dhe është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”, ka thënë Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në Ipko. “Ne i falënderojmë të gjithë qytetarët e vendit për durimin dhe respektin e të tjerëve gjatë kohës së pritjes për të blerë biletat”, ka thënë më tej ajo.

SHPËRNDAJE