Vjen reagimi nga ‘Vetëvendosje’ – Ja çfarë kërkon nga ministri Rikalo

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, të jap dorëheqje në mënyrë që të vazhdohen hetimet ndaj tij, pas akuzave që i kanë bërë disa qytetarë të Prishtinës, të cilët kanë deklaruar se Rikalo i ka keqtrajtuar ata, raporton “Zeri.info”.

“Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë  të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo  dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në  gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Vetëvendosjes”.

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në  postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për  dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë.

Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur  ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste  qeveritare. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë  që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë.

E  ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të  jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa  deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për  krime lufte.

Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën  tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje.

Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë  të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo  dyshohet për tortura.

Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në  gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet.

Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai  akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të  dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së  okupimit dhe luftës në Kosovë.

SHPËRNDAJE