Vjosa Osmani thotë se ndryshimi i kufijve është në tavolinën e bisedimeve me Serbinë

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, edhe njëherë rikonfirmoi për kundërshtimet që kjo parti i ka me Hashim Thaçin kryenegociator në bisedimet me Serbinë.

Sipas Osmanit, asociacioni të jetë pjesë e kësaj faze finale.

“Sado që duket e mirë, kjo do të jetë përpjekje që shkel kushtetutën e Kosovës, këtë edhe Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar”, tha Osmani, transmeton Koha.net.

Osmani tha se Gjykata Kushtetuese, e ka parandaluar një skenar të rrezikshëm për Kosovën. Tani, siç thotë ajo, pas shumë takimeve të Thaçit me Vuçiqin, të cilat Osmani i quan jo formale, tha se Thaçi “as s’e ka njoftuar publikun për temat”, prandaj edhe BE-ja ka ndryshuar qëndrimin, tha ajo duke përmendur edhe deklaratat e fundit të Federica Mogherinit.

Ajo ka thënë se s’kanë marrë përgjigje nga BE-ja, dhe ka kërkuar që publikisht zyrtarët e BE-së të japin përgjigje.

“Nuk ka asnjë mënyrë që Asociacioni të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2015, pa ndryshuar Kushtetutën. Kjo tregon që Asociacioni patjetër do të diskutohet në Bruksel, sidomos pas asaj që tha Thaçi se s’ka vija të kuqe”, tha ajo.

Osmani përmendi se nga vizita në kryeqytete të ndryshme, u është thënë se në tavolinë do të vendoset edhe tema e ndryshimit të kufijve.

“Ai që ka qenë atje, duhet të tregojë se cili ka qenë qëndrimi i tij që e ka mbajtur për këtë temë”, tha ajo, duke shtuar se kjo është situatë që po e rrezikon shtetësinë e Kosovës. “Asnjëherë deri sot nuk ka ndodhur që një përfaqësues ta ulë kaq poshtë standardin e Kosovës”, tha tutje.

“Dje e dëgjuam presidentin duke thënë se këtu s’do të ketë vija të kuqe. I dimë që ato vija të kuqe që u vënë u bënë për të mirë të Kosovës. Dhe tani, kjo qasje nga Thaçi, nuk mund të sjellë rezultat të mirë. Ajo që tha Thaçi, i bie se je gati të negociosh për statusin e Kosovës si shtet”, tha Osmani.

Sot presidenti Hashim Thaçi, informoi kabinetin qeveritar për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjithashtu ftoi opozitën t’i bashkohet delegacionit të Kosovës në Bruksel.

Osmani, për këtë tha se LDK-ja, e ka dhënë përgjigjen e saj. “E kemi thënë që s’e pranojmë Thaçin si kryenegociator. LDK-ja ka reaguar edhe dje për konferencën që e mbajti Thaçi”, tha ajo.

Siç po shihet, tha ajo, Presidenti nuk e ka ndërmend të respektojë vendimet e Kuvendit. “Ai po e shkel çdo rezolutë”, tha ajo.

Kuvendi, tha tutje ajo, ka vetëm një mundësi ta rrëzojë Presidentin. “Kur ai shkel kushtetutën. Nëse Gjykata thotë se ka pasur shkelje të Kushtetutës, atëherë presidenti mund të rrëzohet. Pra vetëm në këtë mënyrë. S’mundet Thaçi të rrëzohet pa patur ndonjë dokument që e vërteton se ai po e shkel kushtetutën”, tha tutje.

“Tani s’kemi të bëjmë me parandalimin e një njeriu, por me parandalimin e skenarëve që rrezikojnë Kosovën”, tha Osmani.

Osmani tha se çështja e kryenegociatorit është shumë e rëndësishme.

“Nëse është një person që i ka shkelur të gjitha vendimet, emrin e ka Hashim Thaçi”, tha ajo.

Në fund kërkoi bashkëpunim mes partive, që të parandalohen të gjithë skenarët që e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

SHPËRNDAJE