“Vjosa Osmani, viktimë e mirëbesimit dhe vetbesimit”

Shkruan: Ermal Mulosmani

Më në fund Vjosa Osmani ka dhënë shenja jete jashtë Partisë së saj historike. Në një dalje televizive ajo konfirmoi ndarjen me LDK-në dhe pregatiti opinionin publik të Kosovës për një rrugëtim të ri duke lajmëruar gjithashtu që nuk do të jetë pjesë e ndonjë formacioni tjetër politik (Vetvendosje!).

Tani që LDK-ja dhe Vjosa i ndanë rrugët është momenti për të parë mënyrën se si Isa Mustafa e enturazhi i tij drejtues i LDK-së e pregatitën me kujdes këtë skemë largimi.

Ishte fillimi i Gushtit të 2019-ës momenti kur filloi gjithçka. Ramush Haradinaj, Kryeministri i atëhershëm kishte dhënë dorëheqje dhe LDK-ja po pregatitej të zgjidhte Kryetarin e ri të saj. Sipas një pike të Statutit të LDK-së, për të kandiduar për Kryetar të Partisë duhej të kishe 50%+1 firma të delegatëve të pranishëm. Praktikisht, nëse dikush ka më shumë se gjysmën e delegatëve me vete është automatikisht i zgjedhur prandaj edhe ky nen ishte absurd, ishte mbrojtje e çdo Kryetari në fuqi. E kështu Isa Mustafa kandidoi i vetëm dhe u konfirmua si Kryetar i LDK-së.

Mirëpo ato zgjedhje për Kryetar nuk ishin si të tjerat. Kryetari i Partisë duhej të përballej me zgjedhjet e reja që do shpalleshin nga dita në ditë. Partia ziente nga brenda por u gjet zgjidhja. LDK do udhëhiqej në betejën e ardhshme elektorale nga Vjosa Osmani, kundërshtarja më e fortë publike e Isa Mustafës.

Ishte një zgjedhje dinake, e studiuar dhe një kurth i madh për Vjosa Osmanin. Nëse fitonte do e ndante pushtetin me Isa Mustafën por kjo nuk ishte zgjidhja më e preferuar për Mustafën dhe kundërshtarët e saj në Parti. Preferenca e tyre politike ishte që Vjosa të dilte e dyta. Kështu ajo digjej përfundimisht si karta fituese e LDK-së, maskonte rezultatin e vërtetë të LDK-së dhe Isa Mustafa konsolidonte karrigen e lëkundur duke shitur fort në negociatat e pushtetit të ri votat e grumbulluara nga Vjosa.

Kështu edhe ndodhi. Pjesa tjetër është histori.

Por ku gaboi Vjosa në raport me Isa Mustafën?

Gabimi i vetëm i saj është që në fillesë. Ajo duhej të pranonte të ishte udhëheqësja e fushtës së LDK-së vetëm duke qenë Kryetare e saj. Të gjithë Kryetarët e Partive të Kosovës ishin mandatarë, vetëm LDK-ja kishte tjetër. Madje kishte mandatare atë që shumë nga anëtarët e Kryesisë nuk e donin fituese. Duke pranuar të ishte udhëheqëse e fushatës së Partisë së Isa Mustafës ajo bëri gabimin kryesor. Duket vetbesimi apo mirëbesimi, dy cilësi jo të lakmueshme për një politikan, e bënë Vjosën viktimë të përsosur.

Pas zgjedhjeve dhe daljes së rezultatit të tyre Vjosa ishte në terren të huaj. Dukej e pafuqishme të ndikonte në koalicione apo vendimmarrjen e Partisë së saj. Duke parë këtë pafuqi, gabimisht, filloi të njësonte qëndrimet me Partinë fituese të zgjedhjeve, Vetvendosje!, e cila po gabonte dukshëm në raportin më të shenjtë që kanë shqiptarët, atë me ShBA-në.

Vjosa kishte të drejtë në një botë jopolitike, të qashtër. Ajo kishte premtuar publikisht bashkëpunimin me VV, kishin unifikuar programet, kishte marrë edhe postin e vetëm që i takonte VV. Mirëpo politika ndryshon me orë. Kundërshtimi ndaj “sugjerimeve” të autoriteteve amerikanë dihej se si do përfundonte, ishte çështje ditësh. Numrat po kalonin në anën tjetër, humbësit po kthehshin në fitues.

Votimi kundër mocionit të mosbesimit të nisur nga Isa Mustafa ndaj Albin Kurtit ishte edhe fundi i palavdishëm i bashkëpunimit të saj me LDK-në. Mirëpo ajo nuk kishte zgjidhje tjetër, do ishte tmerrësisht e padrjetë për bashkëpunimin e deriatëhershëm me VV të bënte ndryshe. Në një intervistë televizive të atyre kohëve do deklaronte se qëndrimi i Qeverisë (kupto Albin Kurtit) ndaj aleatëve amerikanë ishte i gabuar. Mirëpo tashmë ishte vonë, askush nuk dëgjonte më.

Kush është rreziku i Partisë së re të Vjosës?

Armiku më i madh i nesërm i Partisë së saj do të jetë aleati më i fortë i sotëm. Me fjalë të tjera do jetë Albin Kurti dhe Vetvendosje!. Nëse Partia e Vjosës do të sillej me të njëjtën retorikë e qëndrim si ajo e Kurtit, njerëzit do zgjidhnin Kurtin përpara saj. Qasja e saj publike duhet të jetë pro sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut, aleancave me Amerikën dhe BE, luftimin e korrupsionit. Pra fare nuk duhet të merakoset nëse kjo apo ajo politikë e saj i shkon përshtat edhe Vetvendosje!-s. Madje duhet të nxjerrë në spikamë ato cilësi që publiku i dallon veç te Vjosa e askund tjetër.

Sot është e vështirë shumë të gjesh se sa e dëmton LDK-në ikja e Vjosës dhe sa elektorat të pavarur do arrijë të tërheqë Vjosa. Mundet ky ishte momenti më i mirë për LDK-në që Vjosa të linte shtëpinë e saj. Nëse kjo do ndodhte në 2017-ën ose me 03 Gushtin e 2019-ës, do ishte tjetër situatë.

Mirëpo koha punon për kundërshtarët e pushtetit në përgjithësi. Edhe për Vjosën gjithashtu. Si një mbështetës dhe besimplotë në aftësitë e saj jam i besimit se do arrijë t’i mbijetojë xhunglës ku e hodhën mirëbesimi dhe vetbesimi i saj.

SHPËRNDAJE