Vjosa tregon kur thirret takimi i Komisionit për ta shqyrtuar raportin e Bulliqit për Demarkacion

Raporti i Komisionit të ri për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, i është shpërndarë të gjithë deputetëve para dy ditëve.

Kështu ka deklaruar për Indeksonline kryesuesja e komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se takimi i këtij komisioni nuk është mbajtur ende pasi është duke u shqyrtuar materiali i dërguar nga Qeveria.

Sipas saj, ky takim do të thirret shumë shpejt.

“Takimi i Komisionit ende nuk është mbajtur sepse është duke u shqyrtuar materiali i dërguar nga Qeveria (i cili deputetëve u është shpërndarë vetëm para dy ditësh), por do të thirret së shpejti. Komisioni do të shqyrtojë Marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës e Malit të Zi, sepse ajo është e vetmja që votohet, dhe Qeveria e ka proceduar po të njëjtën marrëveshje që është shqyrtuar në mandatin e kaluar”, ka thënë Osmani.

Osmani tregon se vetëm pas shqyrtimit në Komision, Marrëveshja mund të vendoset në rend dite në seancë plenare, duke shtuar se raporti i komisionit të ri ka për qëllim vetëm të informojë deputetët dhe ai nuk hyn në procedura të votimit.

“Vetëm pas shqyrtimit në Komision, Marrëveshja mund të vendoset në rend dite në seancë plenare. Raporti i Komisionit të ri së bashku me materialin tjetër përcjellës ka për qëllim të informojë deputetët dhe ai nuk hyn në procedura të votimit”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, raporti i ri i komisionit për Demarkacionin i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi ka dal me përfundimin se me marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Kosova humb territor.

SHPËRNDAJE