Vonohen arsimtarët, ja si veproi drejtori

Drejtori Avdyl Reka thotë se shkaku i vonesave të arsimtarëve, ai ua ka ndaluar mbajtjen e orës së pestë, raporton T7

Në sallë qëndrojnë mes orëve të mësimit. Por, të hënën, arsimtarëve të shkollës fillore “Emin Duraku” në Kaçanik, pushimi iu zgjati më shumë se zakonisht.

Kjo për shkak se drejtori i kësaj shkolle, Avdyl Reka, ua mbylli derën për 30 minuta.

E të ngujuar në sallën e tyre, mbeten rreth dhjetë arsimtarë.

Arsyeja për këtë, ishte vonesat e mësimdhënësve në orarin e punës dhe mbajtjen e orëve.

Rastin për televizionin e konfirmuan arsimtarët dhe nxënësit, por që hezituan të flasin para kamerës.

Por, këto akuza të arsimtarëve, i mohoi drejtori i shkollës, ndonëse nuk deshi të flasë para kamerës.

E në Komunën e Kaçanikut, thonë që ata janë të njoftuar me rastin.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Zahir Doda, thotë se ishte një mësimdhënëse, ajo qe e njoftoi gjatë kohës kur po mbaheshin të mbyllur.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqërisë Civile në Kaçanik, Alban Hysa, thotë se faj në këtë rast, kanë të dyja palët.

Megjithatë, mosrespektimi i orarit të punës është vepër që ndëshkohet, veçse jo në formën si reagoi drejtori i shkollës.

Sipas nenit 43 të Rregullores për organizimin e punës në shkollat fillore, kjo konsiderohet si shkelje e lehtë.

Kurse neni 44, thotë se dënimi për këtë shkon deri tek shqiptimi i një gjobe financiare.

Ndërsa në rast se kjo përsëritet, atëherë nis procedura në komisionin disiplinor, në përputhje me ligjet në fuqi.

SHPËRNDAJE