Votimi për ekipin negociator në prag të dështimit, Lista Serbe del me kërkesë të re

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku është paraparë të votohet ekipi negociator për të dialoguar me Serbinë, i propozuar nga Qeveria është paraparë të vazhdojë në orën 16:30.

Askush deri më tash zyrtarisht nuk ka treguar pse është shtyrë seanca, pasi që në sallë kanë qenë të pranishëm 61 deputetë, numër I mjaftueshëm për vazhdimin e seancës dhe votimin e ekipit negociator.

Burime të gazetës online Veriu.info bëjnë të ditur se Lista Serbe ka ndërruar qendrim, duke mos pranuar tash të marrë pjesë në seancë për shkak se njërës pikë të propozuar nga deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.

“Lista Serbe po e kundërshton votimin dhe pjesëmarrjen në seancë, pasi që është kundër propozimit të Donika Kadajt për futjes e pikës ku thuhet se territori i Kosovës është i pandarë dhe askush nuk ka mandat që të negocion për territore”, tregon burimi i Veriu.info.