‘’Vrasjet e mëdha në Pejë përfundojnë më 2018’’

Proceset gjyqësore të gjykimet të vrasjeve në Gjykatën e Pejës, priten të marrin epilog gjatë vitit 2018 nga gjykata.

Procesi gjyqësor ndaj Granit Elshanit, gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dhe ai i vrasjes së dy vëllezërve Ramaj në Shaptej, priten të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.

Këtë e bëri të ditur kryetari i kësaj gjykate, Kreshnik Radoniqi, i pyetur nga KALLXO.com, gjatë konferencës vjetore.

“Besojë që këto procese gjyqësore do përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm”, tha Kreshnik Radoniqi.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për zhvillimet e këtyre proceseve gjyqësore.

Gjatë konferencës kryetari Radoniqi foli edhe për rezultatet dhe sfidat gjatë punës për 11 muajt e këtij vitit të Gjykatës Themelore të Pejës me degët saj në Klinë, Istog dhe Deçan.

Ai tha se ka pasur trend pozitiv në zgjidhjen e numrit të lëndëve gjatë këtij vitit në ketë gjykatë, krahas viteve paraprake.

Sipas Radoniqit, numrit i lëndëve të zgjidhura këtë vit është 27171 mijë, nga 54259 mijë sa kishin qenë gjithsej, 32191 janë trashëguar nga vitet paraprake, kurse 22068 kanë arritur për 11 muaj këtë viti.

“Numri i lëndëve të zgjidhura për këtë vit ka shënuar progres, këtë e tregojnë raportet statistikore dhe krahasimi në numrin e lëndëve të arritura me numrin e lëndëve të zgjidhura”, tha ai.

Radoniqi tha se ka pasur progres në përfundimin e rasteve të korrupsionit që janë trajtuar në ketë gjykatë.

“Lëndët të natyrës korruptive që pranohen në gjykatë për trajtim janë në numër të vogël, duke e marr parasysh rajonin e Pejës së bashku me degët e saja Deçan Klinë dhe Istog, janë zgjidhur në numër te konsiderueshme, prej 22 lëndëve të trashëguara në fillim të vitit, dhe më 29 lëndë të arritura gjatë kësaj periudhe kohore kanë bërë që numri i përgjithshëm të jetë 51 lëndë, prej tyre janë zgjidhur 36 lëndë dhe kanë mbetur në punë 15 lënde”, tha ai.

Ndër sfidat që përballen Gjykata Themelore e Pejës, kryetari i saj tha se është mungesa e një objekti që do plotësonte nevojat e punës.

Ai tha se ka bërë kërkesë tek kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, që të caktohet një parcelë për ndërtimin e objektit të ri.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës tha se ndërtimi i objekti të ri për ketë gjykatë është prioritet i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Lajmi i mirë kryetari tha së nga fillimi i këtij vitit, divizioni për kundërvajtje i kësaj gjykate do kalojë në objektin ku ka qenë me herët e vendosur Prokuroria, në qendër të qytetit.

Në anën tjetër Nushe Mekaj, gjyqtare nga Departamenti për të mitur,tha se këtë vit është rritur numri i rasteve të dhunës ndaj të miturve nga personat e moshës madhore.

“Për dallim nga vitet tjera sivjet është rritur numri i kryesve madhor ndaj të miturve, për veprat penale të rënda, kryesisht keqpërdorime seksuale ndaj të miturve”, tha gjyqtarja Mekaj.

Ajo tha se këtë vit ka rënë numri i delikuencës së të miturve, krahas raporteve të vitit paraprak.

SHPËRNDAJE