Vuçiq i kthehet retorikës së tij të kohës së Millosheviqit, thumbon SHBA-në: Nuk jemi si në vitin 1999, askush nuk guxon të na sulmojë

I pyetur se si e komenton faktin që shqiptarët kanë blerë drone si ato që i kanë SHBA, Vuçiq ka deklaruar për televizionin pro qeveritar serb “TV Pink” se “ato nuk janë të njëjtë me ato që kemi blerë ne sepse fluturaket e tyre janë për vëzhgim ndërsa ato tonat janë luftarake”, si dhe se “Shqipëria vetëm i ka porositur ato fluturake të cilat nuk do të arrijnë deri në fund të vitit 2022”.

“E çfarë do të kemi ne deri në fund të vitit 2022 … Njerëzit nuk kanë nevojë të shqetësohen. Por ne nuk jemi duke u armatosur për ta sulmuar dikë apo për të luftuar me dikë, por të ruajmë paqen, stabilitetin dhe qetësinë e njerëzve tanë”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai thotë se “gratë në Serbi e dinë se nuk duhet të shqetësohen për djemtë, burrat dhe baballarët e tyre.

Vuçiq thotë “se Serbia nuk po përgatitet të sulmojë dikë, por të parandalojë agresionin kundër saj, sepse do të jetë shumë vështirë për dikë t’i shkojë ndërmend të na sulmojë nëse jemi të armatosur mirë”.

Ai shton se në vitin 1999, “ishte shumë më e lehtë të merrej vendimi për ta sulmuar Serbinë, sepse ekonomia ishte shkatërruar dhe kishim armë të vjetruara, të cilat prapëseprapë rrëzuan aeroplanët e tyre”.

“Sot, Serbia është e armatosur në mënyrë shumë më serioze dhe vetëm tani do ta shohin se sa do të jetë, e ky është rezultat i rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe politikës së mençur që kemi zgjedhur”, kërcënon Vuçiq.

Mirëpo, ai ishte i detyruar të pranojë se pala kosovare ka fuqi të lartë rekrutimi, se ka një gjeneratë të tërë më shumë se Serbia – sepse janë shumë më të rinj, dhe se ky është problem për Serbinë.

“Kjo është arsyeja pse demografia mbetet një nga problemet tona kryesore. Ne kemi më së shumti fëmijë në zona të varfra”, pretendon ai.

SHPËRNDAJE