Vuçiq vajton në Davos: Për faj të taksës nuk kemi rritjen ekonomike më të madhe në Evropë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës ka folur edhe rreth taksës 100 % të vendosur nga Kosova për produktet me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

Kreu i shtetit serb ka thënë se po të mos ishte një vendim i tillë atëherë Serbia do të kishte rritjen ekonomike më të madhe në Evropë me 4.3 apo 4.4 % në vend të 4.1 sa e ka pasur në vitin 2019.

“Kjo është edhe arsyeja kryesore pse taksa duhet hequr”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se nuk ka sens që të ketë marrëveshje për fluturime ajrore e në anën tjetër të mos ketë lëvizje të lirë të mallrave.

Tutje ai ka thënë se pret qe me krijimin e qeverisë së re në Prishtinë të zgjidhjet edhe çështja e taksës. Vuçiq ka thënë se heqja e taksës do të jetë edhe kërkesa kryesore e Listës Serbe nëse përfshihet në qeveri.

“Kushdo që e formon qeverinë e re. Është e qartë që nuk mund ta bëjnë pa Listën Serbe. Kjo do të jetë kërkesa kryesore e Listës Serbe”, ka thënë Vuçiq.

Kreu i shtetit serb ka folur edhe për pjesëmarrjen e presidentit Hashim Thaçi në Davos, duke shtuar se nuk ka pasur ndonjë takim me të, por vetëm kanë marrë pjesë në një takim joformal.

SHPËRNDAJE