Vuçiq zotohet para Grenellit se do ta zbatojnë me përpikëri marrëveshjen e Uashingtonit

Presidenti i Serbisë, Aleksansdar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e qeverisë amerikane, është zotuar në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

Pas takimit ndërmjet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministres, Ana Bërnabiq, me të dërguarin special të presidentit Donald Trump, për dialogun me Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA (DFC), Adam Boehler, presidenti serb është zotuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator.

Pas këtij takimi, në konferencën për medie, Vuçiq deklaroi se Serbia dhe Amerika nuk kanë pasur një marrëveshje të tillë që nga viti 1881, transmeton lajmi.net.

“Që atëherë, ne nuk kemi pasur marrëveshje kaq të rëndësishme,” theksoi presidenti.

Ai deklaron se nuk foli pas vizitës së tij në Uashington për ato që janë arritur por që sipas tij, kjo marrëveshje është një e arritur shumë e madhe.

“Ne hapëm derën për miqësinë e vjetër. Dhe unë dua të falënderoj veçanërisht presidentin Trump, i cili donte të na dëgjonte dhe që kishte durim të mjaftueshëm dhe që donte të tregonte respekt për qytetarët e Serbisë. Ne do të përmbushim detyrimet tona”, deklaroi Vuçiq.

“Absolutisht jam i sigurt se mund të arrijmë rezultate të mëdha me miqtë tanë amerikanë. Kjo është një ditë e mirë për Serbinë “, u shpreh Vuçiq.

“Aty ku amerikanët duan të investojnë, atje ku është agjencia amerikane e zhvillimit, ka punë. Ne jemi krenar që zyra e tyre po hapet në Beograd”, tha presidenti serb.

Në anën tjetër po ashtu gjatë ditës së sotme gjatë takimi që kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka pasur me kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar Amerikan (DFC), Adam Boehler, në mënyrë simbolike hapën zyrën e asaj organizate në Serbi.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE