Vushtrri: Nesër fillon manifestimi tradicional Takimet e Poeteshave Shqiptare

Ky festival, fillet e tij i pati në vitin 1979 dhe është i vetmi i tillë që mbledh poetet nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë. Këtë vit kishte një interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje dhe konkurrenca ka qenë shumë e madhe, kanë aplikuar gjithsej 163 poete nga shumë qytete të Kosovës, nga Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korca, Gjirokastra, Malësia, Ulqini, Tetova, Shkupi, Presheva gjithashtu nga diaspora : Zvicrra, Gjermania, Zelanda e Re etj.

Në festival do të lexohen 21 poezitë që kanë marr pikët maksimale nga juria dhe nga to do të shpallen edhe tri fitueset.

Poetet pritet të vijnë me datën 27 tetor në orën 16:00 ku do të shoqërohen për në vizitë të monumenteve kryesore të qytetit “Ura e Gurit”, “Hamami” si dhe në “Kalanë e Qytetit” do të kenë mundësi të shikojnë ekspozitën “Pasion i së ardhmes” të dy piktoreve të reja Yllëza dhe Brikena Sadiku.

Me 28 tetor në Kullën e Azem e Shotë Glicës do të kthehen traditat e moçme. Këtë vit, në këtë Kullë do të mbahet Edicioni i 4-të i “Ditës së Plisit”, ku poetet do të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Ndërsa në mbrëmje, prej orës 19:00 në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, po me këtë datë 28 tetor (e shtunë), do të mbahet Festivali i poezisë “Takimet e Poeteshave Shqiptare”. Poezitë do të lexohen nga aktorët e Akademisë së Arteve ndërsa jemi kujdesur edhe për pika muzikore dhe një pikë baleti ku do të luajnë balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës.

SHPËRNDAJE