Vushtrria kremton 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Shënimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, kësaj date që para 12 viteve solli te lindja e Shtetit të Kosovës, sot në Vushtrri ka filluar me homazhet në varrezat e Dëshmorëve, martirëve dhe të rënëve nga Komuna e Vushtrrisë. Përfaqësues të institucioneve, familjarë, veteranë e invalidë të luftës së UÇK-së kanë nderuar sakrificën sublime të qindra vushtrriasve që dhanë jetën e tyre vetëm në luftën e fundit të UÇK-së, por edhe në Kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Në akademinë kryesore kushtuar 12 vjetorit të pavarësisë, fjalë ka mbajtur kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili përveç sakrificës së Vushtrriasve ndër breza, ka folur edhe për atë që Vushtrria po jep edhe pas pavarësisë. “Në këto 20 vite të lirisë ne kemi njohur zhvillim, gëzime, lumturi por edhe zhgënjime e pasiguri për ne e për të ardhmen e fëmijëve tonë. Sot në 21 vjetorin e lirisë e në 12 vjetorin e pavarësisë, fytyra e Kosovës janë vajzat dhe djemtë e Kosovës që në sport në shkencë e në inovacion po na bëjnë krenar”, ka thënë Tahiri.

“Vushtrria dhe Kosova është në rrugën e drejtë të ndryshimit e të përparimit, secili nga ne çdo ditë e më tepër po e duam dhe po e ndjejmë flamurin e himin e saj. Djemtë e Kombëtares së Kosovës duke mbrojtur me krenari ngjyrat e flamurit të Kosovës sot na japin emocione të papërshkrueshme të krenarisë. Samir Ujkani, Milot Rashica, Florent Hasani e Elbasan Rashani janë inspirim për gjeneratat e reja të Vushtrrisë dhe të gjithë Kosovës, prandaj ju ftoj ti nderojmë me duartrokitje”, ka shtuar ai.

Sot fytyra e vërtet e qytetit tonë janë nxënëset dhe nxënësit e shkollave të Vushtrrisë që dolën të parët në garat nacionale të diturisë në nivel vendi, janë studentet dhe studentët që me rezultatet e tyre po na bëjnë krenar, ka thënë Tahiri.

“Në ditë gëzimi si kjo e pavarësisë, të gjitha vajzat e djemtë e Kosovës, duke më përfshire dhe mua, shëmbëlltyrë e inspirim kemi atin themeltar të Kosovës, arkitektin e pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili me urtinë e tij politike bashkoi popullin e Kosovës në idealin e lirisë. Nderojmë deri në përulësi, në këtë ditë të madhe të pavarësisë sakrificën mbinjerëzore të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorët e heronjtë e rënë për liri e pavarësi. Nderojmë e respektojmë martirët e lirisë dhe kujtojmë të pagjeturit. Sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët dhe invalidët e UÇK-së që lanë shëndetin e tyre në fushëbetejë me armikun”, ka deklaruar Tahiri, në akademinë me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në kremtimin e kësaj date Ansambli i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” i qyteti të Vushtrrisë, ka shfaqur program të pasur kulturo-artistik. /Veriu.info/

SHPËRNDAJE