Vushtrria me përkrahjen e GIZ nis me ndarjen e mbeturinave në burim

Në një ceremoni ku kanë marrë pjesë shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët kanë defiluar nëpër qendër të qytetit, sot në qytetin e Vushtrrisë ka nisur ndarja e mbeturinave në burim, projekt ky që po financohet nga GIZ dhe Komuna e Vushtrrisë, ndërsa po zbatohet nga Green Art Center, transmeton portali Veriu.info.

Me rastin e fillimit të këtij projekti mjaftë ambicioz, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka ftuar që pjesë e procesit për një Vushtrri më të pastër të bëhen edhe qytetarët, aktivizimi i të cilëve tha se është shumë i rëndësishëm që kjo nismë e mbarë të gjejë zbatim të plotë. Ai bëri të ditur se nga e hëna do të filloj menaxhimi dhe ndarja në burim e mbeturinave po ashtu në të gjitha fshatrat e Vushtrrisë.

Me këtë rast, kryetari Tahiri ka falënderuar organizatën qeveritare gjermane GIZ si donator, dhe gjithë partnerët tjerë të komunës për këtë nismë shumë të rëndësishme për Vushtrrinë.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

Ndërsa përfaqësuesja e GIZ-it në Kosovë, Arbnora Malaj Shabani, tha se GIZ përshëndet gatishmërinë e Komunës së Vushtrrisë për të filluar këtë proces të ndarjes së mbeturinave në burim, që pritet të bëjë zvogëlimin e mbetjeve në deponi, si dhe të bëjë qytetarët më informuar për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

“Në falënderim të shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që po jap për Kosovën dhe komunat e saj, ne sot po bëjmë lancimin e projektit të përmirësimit të shërbimeve komunale për menaxhimin e mbeturinave në Vushtri”, ka thënë drejtoresha e GAC, Merlinda Beu Muçaj.

Në fillimin e këtij projekti ka marrë pjesë edhe Ekrem Hyseni, përfaqësues i organizatës ORF, e cila po ashtu është pjesëmarrëse në financimin e këtij projekti.

Në këtë ceremoni sot është bërë përurimi i platosë së re për ndarje të mbeturinave në burim, te hyrja e ish Shkollës së policisë në qytet, ku edhe praktikisht është demonstruar ndarja e mbeturinave. Po ashtu Islam Latifi, nga Grupi punues i Komunës së Vushtrrisë për këtë projekt, tha se sot ka filluar edhe shpërndarja dhe vendosja e 260 kontejnerëve të ri të plastikës, për ndarjen e mbeturinave./Veriu.info/

SHPËRNDAJE