VV-së e PSD-së nuk u pritet rrëzimi i Qeverisë – Tregojnë nëse do t’i pranojnë votat e Listës Serbe

Paralajmërimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në vjeshtë, i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD).

Gjatë ditës së djeshme u tha se LDK është duke pritur përfundimin e zgjedhjeve të brendshme edhe në disa nëndegë, pastaj menjëherë edhe ta procedojë në Kuvend mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.

Mirëpo, për këtë, nga Lëvizja Vetëvendosje po thonë se nuk kanë kohë të presin derisa një parti politike të përfundojë zgjedhjet brenda partiake. Thonë se Kosova është primare dhe se nuk mund të lejojnë jetëgjatësinë e një qeverie të prodhimeve të skandaleve.

Ka kohë që jemi angazhuar për të mbledhur nënshkrimet apo votat për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj. Ne jemi në komunikim edhe me LDK-në për ti mbledhur nënshkrimet dhe VV konsideron që pavarësisht se a i kemi 61 nënshkrime, jo vota, ne duhet ta procedojmë mocionin. Nuk kemi kohë për të humbur duke pasur parasysh se Qeveria Haradinaj është qeveri e skandaleve të përditshme. Nuk kemi kohë derisa dikush prej subjekteve politike të përfundojë procesin zgjedhor. Mendoj që Kosova është prioritare dhe besoj që duhet një angazhim i përbashkët opozitar pavarësisht se LDK-ja është në zgjedhje të brendshme“, tha deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për Gazetën Blic.

Haxhiu shtoi se qëndrimi i LVV-së është që “mocioni për rrëzimin e qerisë duhet të dorëzohet sa më parë.”

Se rrëzimi i qeverisë Haradinaj duhet të bëhet sa më shpejtë, po e thonë edhe nga PSD. Madje, nga kjo parti thonë se janë bërë thuajse një vit prej se kur kanë dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.

Qëndrimin tonë rreth rrëzimit të Qeverisë e kemi thënë rreth një vit më parë kur i kemi ofruar nënshkrimet tona“, ka thënë deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina.

Mirëpo, a do t’i pranojnë VV e PSD votat e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu e pyetur nëse kjo parti do të pranonte votat e Listës Serbe, ka thënë se nuk kanë të drejtë të mos i pranojmë votat e ndonjë deputeti ose ndonjë grupi parlamentar. Mirëpo, gjithë këtë, ajo e ndërlidhë me kohën kur një mocion mosbesimi do të shkonte në Kuvend. Thotë se kur mocioni të arrij në Parlament, nuk kanë të drejtë ta pengojnë ndonjë deputet për votën e tij.

Ne nuk kemi të drejtë të mos i pranojmë votat e ndonjë deputeti ose ndonjë grupi parlamentar. Kuvendi ka 120 deputetë dhe ne nuk e kemi të drejtën t’ua ndalojmë askujt që të vijë apo mos të vijë. Ata kanë të drejtën sikurse secili deputet tjetër, pavarësisht që është subjekt që dirigjohet nga Beogradi dhe i dimë qëndrimet e tyre publikisht. Por ne nuk mund tua mohojmë deputetëve të Kuvendit që të votojnë apo jo“, tha ndër të tjera ajo.

Për këtë, Gazeta Blic ka pyetur edhe deputeten e PSD-së, Shqipe Pantina. Mirëpo, ajo ka thënë se për PSD-në janë të papranueshme votat e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti në takimin me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa kanë rënë dakord se qeveria nuk duhet të rrëzohet me votat e Listës Serbe“, ka thënë shkurt ajo.

Ndryshe, gjatë ditë së djeshme nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë akuzuar LDK-në pasi, gjatë gjithë procesit zgjedhor të brendshëm, më shumë janë marrë me retorikën boshe të rrëzimit të qeverisë.

Sa i përket zgjedhjeve kur ata janë të gatshëm mos të flasin por të veprojnë. Ne jemi këtu, jemi çdo ditë në terren, rritja dhe interesimi për t’ju bashku Aleancës asnjëherë nuk ka qenë më mirë“, ka thënë deputetja e AAK-së për Gazetën Blic, Teuta Haxhiu.

Për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, opozitës i duhen 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deri më tani, opozita ka siguruar 58 vota teksa u mungojnë edhe 3 sosh./Gazeta Blic