Washington Post shkruan për fondin dedikuar Xhakës dhe Shaqirit

Washington Post raporton për fondet e mbledhura nga kosovarët për dënimin e Shaqirit e Xhakës.

Mbledhja e fondeve nga kosovarët për të paguar dënimin që FIFA iu kishte dhënë Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Stephan Lichtsteiner për shkak të festës së tyre në ndeshjen e futbollit ndaj Serbisë, ka marrë vëmendjen e mediave botërore.

Këtë herë e përditshmja amerikane Washington Post ka publikuar një artikull të gjatë për iniciativën e bërë nga Drin Zatriqi e Rilind Reka.

“Dy shqiptarë të Kosovës e panë se çfarë ndodhi kur dy lojtarë të Zvicrës me prejardhje të njëjtë u gjobitën nga FIFA për gjestet e tyre patriotike në ndeshjen kundër Serbisë në Kupën e Botës, dhe të zemëruar ata vendosën t’i vënë paratë e tyre”, shkruan e përditshmja amerikane.

Më tutje shkruan se, “ata krijuan faqen ‘GoFundMe’, dhe brenda disa orësh grumbulluan para të mjaftueshme për të mbuluar gjobën prej 25,000 dollarësh të vënë nga FIFA ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, të cilët kanë trashëgimi etnike shqiptare dhe shokut të tyre të skuadrës, Stephan Lichtsteinerit”.

Drin Zatriqi, ka dhënë një deklaratë për Washington Postin për të cilën tregon pse kanë marrë këtë iniciativë, transmeton Koha.net.

“Ishim shumë të zhgënjyer dhe të befasuar se lojtarët e Zvicrën u dënuan për shkak të bërjes së një veprimi me të cilin identifikohen shqiptarët. Ajo nuk është një shenjë e urrejtjes,” ka thënë Zatriqi. “nuk është shenjë e racizmit. Është sikur një përshëndetje me dorë, është një shenjë që ne e bëjmë për të shfaqur kënaqësinë dhe krenarinë”.

“Xhaka e Shaqiri janë lojtarë të Zvicrës, por me rrënjë shqiptare dhe kjo është bukuria e saj. Identitetet janë komplekse. Dhe mbi të gjitha, kjo ndeshje për mua, familjen time, dhe të gjithë shqiptarët ishte më tepër se aq. Ishte një mrekulli. Kjo është arsyeja se përse ishte absurde kur kuptuam se Xhaka, Shaqiri e Lichtsteiner u dënuan për shkak se bënë shqiponjën, që ka qenë simbol i shqiptarëve me shekuj. Asnjëherë nuk ka qenë simbol i dhunës, urrejtjes apo racizmit. Është thjesht një simbol i historisë sonë, identitetit, dhe krenarisë kombëtare”, ka deklaruar Zatriqi për Washington Post, transmeton Koha.net.

Zvicra, që është shtëpi e qindra mijërave shqiptarëve të Kosovës, e mposhti Serbinë me rezultat prej 2 me 1, dhe Shaqiri e Xhaka festuan me shqiponjë, duke marrë kështu fishkëllima nga turma. Pas hetimeve FIFA i gjobiti ata me nga 10 mijë franga, kurse kapitenin e Zvicrës, Lichtsteiner me 5 mijë franga, për të njëjtin gjest.

Washington Post gjithashtu shkruan se, “Xhaka dhe Shaqiri u rritën në Zvicër, por trashëgimia e tyre etnike shqiptare është e lidhur me Kosovën, një ish-provincë e Serbisë që më 2008 ka shpallur Pavarësinë. Babai i Xhakës ishte i burgosur politik për 3 vjet e gjysmë në ish-Jugosllavi. Shaqiri, që në atletet e tij ka flamurin e Kosovës dhe të Zvicrës, ishte lindur në Jugosllavi, më pas ishte shpërngulur në Zvicër kur ishte fëmijë”.

“Kosova dhe Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e ish-territorit të saj, kanë qenë në konflikt me shekuj, por tensionet ishin rritur jashtëzakonisht në fund të viteve 1980 nën udhëheqjen e liderit serb, Sllobodan Millosheviq. Përderisa vendi u nda gjatë luftërave civile në dekadën e ardhshme, qindra mijëra shqiptarë etnikë u vranë ose u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, duke krijuar një krizë refugjatësh dhe burgosjen e Millosheviqit në Hagë për krime lufte”, shkruan Ëashington Post.

FIFA dhe UEFA e pranuan Kosovën më 2016, por për shkak të numrit të kosovarëve në Zvicër, shumë talentë të futbollit nga vendi i tyre është atje.

Zatriqi thotë se për më pak se një ditë u nevojitën për të mbledhur këto fonde.

“Sigurisht, asnjëherë nuk ishin në pyetje paratë. Nuk ka asnjë çmim që dikush mund të vendos për kënaqësinë që ata na sollën. Me këtë iniciativë donim që të tregonim solidaritetin me ta, por edhe zhgënjimin me FIFA-në. Kjo është sikur të dënohet Messi për shkak se ka bërë shenjën e kryqit. Shqiponja është religjioni jonë, identiteti jonë”, është shprehur Zatriqi, transmeton Koha.net.

Ai dhe shoku i tij, Rilind Reka, kanë mbledhur më tepër se 27 mijë dollarë. Dhe këto të ardhura iu kanë ofruar zyrtarëve, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Dhe nëse nuk marrin asnjë përgjigje atëherë ato do të dhurohen për bamirësi.

“Do të provojmë të krijojmë diçka të bukur nga kjo. Ndoshta të dhurojmë topa të futbollit dhe fanella për fëmijët e shkollave në vende rurale të Kosovës. Sporti duhet të bashkojë njerëzit, dhe duhet të na ndihmojë që të kuptojmë më tepër njëri-tjetrin. Dhe sportet duhet të jenë përfshirëse”, është shprehur Zatriqi. /Insporti

SHPËRNDAJE