Werderi konfirmon shitjen e Rashicës

Milot Rashica do të shitet në ditët në vijim, nëse Werder Bremeni pranon ofertë të duhur për shërbimet e tij, ka konfirmuar drejtori sportiv i klubit gjerman Frank Baumann.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Rashica – i cili ishte buzë kalimit në Bayer Leverkusen në çastet e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar – sapo është rikthyer nga lëndimi që e mbajti larg fushës së lojës gati gjatë gjithë këtij sezoni.

24-vjeçari u rikthye para dy javëve por luajti në përgjithësi vetëm 56 minuta në tri paraqitje si zëvendësues në Bundesligë.

E ardhmja e tij ka qenë e paqartë vitin e fundit dhe vushtrriasi rrezikon të mbetet në Werder edhe pas afatit kalimtar dimëror, i cili zyrtarisht mbyllet të hënën në mbrëmje.

Baumann konfirmoi se Rashica – i cili ka kontratë me Werderin deri më 30 qershor të vitit 2022 – do të shitet vetëm nëse klubi merr ofertë të kënaqshme për të.

 “Rashica është shumë, shumë i rëndësishëm për ne. Nëse marrim ofertë interesante për të dhe parametrat përshtaten, atëherë do të dëgjojmë. Nëse nuk ndodh kështu, apo ndonjë klub na troket në derë më vonesë, atëherë ai qëndron me ne”, tha Baumann.

Për të ardhmen e tij foli edhe trajneri i Werderit Florian Kohfeldt, i cili beson se Rashica, megjithatë, do të mbetet në Bremen deri në fund të sezonit.

“Më shumë mundësi Miloti do të mbetet në Werder edhe pas të hënës (kur edhe mbyllet afati kalimtar i janarit), dhe ndaj Schalkes do të jetë opsion për mua”, tha Kohfeldt.

Ai shtoi: “Gjendja fizike e Rashicës është seç herë e më e mirë. Ai i shfrytëzoi shumë mirë stërvitjet këtë javë. Ai do të vazhdojë të jetë në dispozicionin tonë.”