Xharra: Nga PDK nuk kam kërkuar as të futem në listë për deputete

Arbana Xharra thotë se kalimi i saj nga gazetaria në politikë është vetëm ‘ndërrim i formës’ së punës së saj, pasi që edhe pas futjes në PDK, ajo do të vazhdojë të punojë për interesin e njerëzve të zakonshëm, ashtu siç thotë se ka bërë gjatë kohës sa ishte në gazetari.

Në emisionin Info Magazine të Klan Kosova, Xharra thotë se është e pamoralshme që ajo ‘të kryqëzohet’ për këtë ndërrim profesional, që në ditën e parë të kalimit.

Rreth asaj pse zgjodhi PDK’në, Xharra thotë se nuk do të futet në listën zgjedhore dhe se nuk ka kërkuar asnjë post për të hyrë në politikë.

“Zoti Veseli ka dhënë sinjale që do të ndryshojë, afroi rreth vetes së tij njerëz kredibilë me të kaluar të pastër. Ai ka shfaqur sinjale për një Kosovë perëndimore, ashtu siç është edhe ideja ime për shtetin perëndimor të Kosovës. Ne vet kemi kërkuar shpesh që partitë të ndryshojnë për të mirë”, tha Xharra, duke bërë thirrje që puna e saj në politikë të vlerësohet pas gjashtë muajsh e jo tash.

“Unë do të vazhdoj të kritikoj edhe brenda partisë. Krejt çfarë kam kërkuar është që të kem hapësirë për të punuar për idetë e mia, për ato që kam shkruar gjatë kohës në gazetari. Kjo më është premtuar dhe kaq”, tha tutje Xharra, duke shtuar se brenda grupit të PDK’së ka frymë të re për ndryshime.

SHPËRNDAJE