Xhelili: Nëse s’kalon demarkacioni, Qeveria s’ka përspektivë

Demarkacioni po del të jetë pika ku PDK e LDK mund t’i ndajnë rrugët. Edhe deputeti i PDK’së, Fatmir Xhelili, ka thënë se po që se demarkacioni nuk kalon, atëherë Qeveria mbetet e pa përspektivë.

Sipas tij, demarkacioni duhet të provohet për t’u votuar, e në rast se ajo marrëveshje nuk votohet, ai le të nënkuptohet se koalicioni duhet të zhbëhet e kështu të shkohet në zgjedhje, shkruan gazetametro.net.

‘Realisht edhe demarkacioni në qoftë se s’kalon, nuk e di që kjo qeveri kish me pasë përspektivë me i vazhdu proceset e tjera. Nëse nuk votohet tash demarkacioni, mund të shtyhet për 6 a 7 vjet’, ka thënë Xhelili për Metron.

Ai tutje ka thënë se pas bllokimeve të proceseve në vend, zgjedhjet do të ishin një zhbllokues i duhur.

‘Një ineksion zhvillimeve në vend kishin me i dhanë zgjedhjet’, ka shtuar Xhelili.

Deputeti i PDK’së, ndërkaq, ka vlerësuar se demarkacioni po përdoret si luftë për pushtet, dhe se diskursi që po përdoret nuk e ka qëllim zgjidhjen e këtij problemi.

Por, Xhelili është treguar i vendosur në kritikën ndaj Qeverisë. Ai tutje ka shtuar se edhe nëse kalon demarkacioni, partnerët duhet të analizojnë punën e Qeverisë, dhe të rishikohet a janë arritur qëllimet.

‘Edhe në qoftë se kalon demarkacioni, atëherë duhet t’i bëhet një analizë punës së Qeverisë, se a i ka arritur objektivat dhe qëllimet’, ka vazhduar Xhelili.

Ndërkaq, kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të PDK’së që kanë bërë të ditur se fati i koalicionit është të përfundojë shpejt.

Ndryshe, partitë politike veçse kanë nisur përgatitjet për zgjedhje të parakohshme. Metro, ndërkaq, ka mësuar muaj më parë nga burime të sigurta se zgjedhjet mbahen në fillim të qershorit.

SHPËRNDAJE