Xhudoja kosovare shtyn rusët të shfuqizojnë vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Ekipi i Kosovës në xhudo, i prirë nga trajneri Driton Kuka, të mërkurën do të marrë rrugë për në St. Petersburg të Rusisë. Më 16 e 17 dhjetor në St. Petersburg të Rusisë mbahet turneu Masters për këtë vit. Kosovën në këtë turne do ta përfaqësojnë xhudistet, Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

Dhe ato tashmë janë fitimtare, njëjtë si trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Fitorja e madhe e komunitetit të xhudos është që në St. Petersburg xhudistet do të garojnë me flamur të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vetëm të dielën është bërë e ditur se Kosovës do t’i lejohet paraqitja e barabartë në turneun e madh në qytetin e njohur rus. Kështu është shfuqizuar një vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, që nuk lejonte xhudistët e Kosovës të garojnë për shtetin e tyre në Masters, por kushtëzonte pjesëmarrjen me paraqitje me flamur të IJF-së, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Vendimi mban datën e 5 dhjetorit të këtij viti, dhe kishte bërë që drejtuesit e xhudos në vend të heqin dorë thuajse nga pjesëmarrja në garën e rëndësishme në Rusi. Por në ditët e fundit ka pasur zhvillime të shumta të natyrës politiko-sportive, që kanë shkuar në favor të Kosovës dhe ekipit të saj në xhudo.

Është përfshirë direkt presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, dhe ai të dielën paradite ka njoftuar të parin e xhudos kosovare, Agron Kuka, që Kosovës do t’i mundësohet paraqitja e barabartë. Vizer në fakt llogaritet mik i madh i sportit kosovar, ndërsa Agron Kuka është prej njerëzve të afërm të tij. Autoriteti i Vizerit në sportin ndërkombëtar vlerësohet shumë i madh, dhe ai e ka përdorur atë për të thyer edhe një barrierë për sportin kosovar./Koha Ditore/

SHPËRNDAJE