Ylli i NBA rrah burrin që ia dëmtoi veturën gjatë protestave në SHBA

Basketbollisti JR Smith, që së fundi luajti për Cleveland Cavaliers, e kishte rrahur një burrë të dielën, pasi që ai ia kishte dëmtuar veturën gjatë protestave në Los Angeles pas vdekjes së George Floyd.

JR Smith shihet në videon e publikuar në rrjete sociale duke e shkelmuar burrin teksa ai është i shtrirë në tokë, para se të arrijë të ikë nga aty.

Megjithatë, para se videoja të publikohej, JR Smith i kishte paralajmëruar tifozët për incidentin, përderisa kishte treguar se xhami i veturës së tij ishte thyer, përkundër që kishte qenë e parkuar në një zonë rezidenciale e jo aty ku po zhvilloheshin protestat.

Ndërsa, një ditë më vonë, Smith u shpreh kundër akteve të dhunshme që kanë ndodhur gjatë disa prej protestave në SHBA.

“Duhet të protestoni në mënyrë paqësorë, këtë mund ta bëjmë gjatë gjithë ditës. Por, kur filloni t’i dëmtoni pronat private të njerëzve që s’kanë të bëjnë asgjë me këtë…”, ka thënë Smith.

“Unë jam personi i vetëm me ngjyrë në lagjen time dhe ti, duke menduar se po bën diçka për t’i mbrojtur të drejtat tona, përfundon duke e dëmtuar veturën e pikërisht atij personi, pa e ditur fare”.

34-vjeçari Smith, i cili është veteran me karrierë 15-vjeçare në NBA, luajti në 11 ndeshje për Cavaliers sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon nuk ka qenë pjesë e skuadrës.

Los Angeles është vetëm njëri ndër qytetet e shumta në SHBA ku kanë shpërthyer protesta shkaku i vdekjes së Floyd, amerikanit me ngjyrë i cili ndiq javën e kaluar në Minneapolis pasi Derek Chauvin, një polic i bardhë, ia mbajti gjurin mbi qafë për mbi tetë minuta.

SHPËRNDAJE