Zahiti: Kallëzimi për kanosje të investitorit në Mitrovicë ka shkuar në Prokurori

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin i cili edhe një herë dëshmoi pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj gjatë shfrytëzimit të pronave të privatizuara në Kosovë.

Patrick Fluder një bashkatdhetar yni nga Zvicra që ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, nuk po mundet ta shfrytëzojë atë nga frika se mos i ndodh ndonjë e keqe nga ish-qiraxhinjtë e atij lokali.

“Nuk ke me ja pa hairin” është mesazhi që investitorë nga diaspora kanë marrë në Mitrovicë në disa raste të hulumtuara nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë.

Hulumtimi tregon se rasti është raportuar në polici dhe përpos procedurave standarde nuk ka pasur arrestime dhe trajtim më serioz ndaj pretendimeve për kërcënime.

Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë Avni Zahiti tha se rasti është lajmëruar dhe është trajtuar për elemente të kanosjes ndaj investitorit.

“Rasti në fjalë në polici është raportuar si rast me elemente të kanosjes. Policia nën udhëheqjen e prokurorit të çështjes ka nisur hetimet në fjalë ku ka identifikuar të dyshuarin për elemente të kanosjes dhe tashmë veç është bërë një kallëzim penal, i cili në muajin gusht 2016 është dërguar në prokurori”, tha Zahiti.

Aktakuza e Prokurorisë ne Mitrovicë, kopjen e së cilës e ka siguruar “Drejtësia në Kosovë”, përshkruan veprimet e Gentuar Aliut kundrejt investitorit nga Zvicra Patrick Fluder.

“Gentuar Aliu, në fillim të muajit qershor të vitit 2017 në Mitrovicë ka kanosur personin tjetër dhe atë të dëmtuarin Patrick Fluder, ashtu që paraprakisht i dëmtuari kishte blerë nga AKP-ja lokalin e quajtur ‘Modesta’, i cili gjendet në Sheshin ‘Agim Hajrizi’, mirëpo i pandehuri nuk e ka lejuar që ta shfrytëzojë lokalin të dëmtuarin Patrick, por edhe i është kanosur përmes telefonit me fjalët ‘nuk ke blerë lokal por ke blerë bela dhe duhet të tërhiqesh, nuk do ta gëzosh, nuk do të punoj aty askush përveç neve’”, thuhet në aktakuzë.

Deklaratën e zëdhënësit të policisë Avni Zahiti mund ta ndiqni në vijim.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE