Zbulohen detaje të vrasjes së Ivanoviqit

Gjykata Themelore e Prishtinës, para pak çastesh ua ka caktuar, për të dytën herë masën e paraburgimit tre serbëve të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e ish-liderit serb, Oliver Ivanoviq.

Gjatë ditës, seanca është mbajtur me dyer të mbyllura, duke pamundësuar qasjen e medieve dhe publikut. Ndërkohë, “Koha Ditore” ka siguruar vendimin e gjykatës në të cilën jepen detaje dhe prova të reja, të cilat janë prezantuar nga Prokuroria Speciale rreth këtij rasti, mbi të cilat është bazuar vazhdimi i masës së paraburgimit.
Të dyshuarit, Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosic dhe Dragisa Markoviq, sipas prokurorisë kanë vepruar si grup kriminal. Ata po dyshohen për tri vepra penale: vrasje e rëndë, zbulim i fshehtësisë zyrtare, si dhe armëmbajtje pa leje.

“Konsideroj se masa e paraburgimit në rastin konkret është më se nevojshme, për shkak se të pandehurit me veprimet e tyre rezultojnë se janë të involvuar në vrasjen e tani të ndjerit, Oliver Ivanoviq. Secili nga të pandehurit kanë kontribuar, duke i kryer detyrat apo porositë si grup kriminal. Për të pandehurin, Spasojeviq, ka dyshim të bazuar mirë se është i involvuar në vrasjen e Ivanoviqit. Kjo dëshmohet me provë konkrete nga dëshmia e dëshmitarit anonim ‘A1’”, thuhet në vendimin e gjykatës, pjesë kjo e shkëputur nga fjala e prokurorit të rastit, Sylë Hoxha.

I dyshuari Spasojeviq, sipas prokurorit, një natë para vrasjes me veturë zyrtare të Policisë së Kosovës, së bashku me një koleg të tij, po ashtu pjesëtar i Policisë së Kosovës, e kanë dërguar me automjetin zyrtar “personin, që mbetet ende i paidentifikuar te vetura ‘Opel Asra’, pa targa dhe me xhama të errësuar në vendin ku ishte i parkuar, e cila veturë kishte qëndruar për disa ditë e parkuar në atë vend”.

“Këtë veturë, personi ende i paidentifikuar e ka marrë dhe e ka larguar nga aty nën përcjelljen e zyrtarëve policorë, tani të dyshuar, dhe të nesërmen apo konkretisht me datën 6 janar të këtij viti, është shtënë 6 herë në drejtim të tani të ndjerit Ivanoviq. E njëjta veturë, pas vrasjes është gjetur e djegur pas pak minutash në vendin e njëjtë prej nga ishte marrë një natë më parë”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, përfshirja e të dyshuarit kryesor në mesin të arrestuarve, Spasojeviq në këtë rast penal, dëshmohet nga dëshmitari anonim, i cili ka bërë identifikimin përmes fotografive.

Sa i përket të dyshuarit të dytë, Rosic, prokuroria ka argumentuar para gjykatës se i njëjti, sipas provave që i kanë siguruar, ka “ka bashkëpunuar ngushtë me personat e involvuar në këtë grup kriminal, duke e përcjell Ivanoviqin me veturën e tij ‘Xhip Santa Fe’, ngjyrë të zezë”.
“Kjo argumentohet nga fotot që viktima i ka pasur në telefonin e tij, e të cilat janë siguruar pas ekzaminimit të telefonit të tij. Po ashtu është gjetur një copë letër ku ishin shënuar targat e veturës në fjalë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

I dyshuari i tretë, Markoviq, sipas prokurorisë, pas vrasjes së Ivanoviqit, e ka thirrur një zyrtar policor në Serbi, të njohur si “Komadina” dhe të njëjtit dyshohet se i ka dhënë informacione nga vendi i ngjarjes në mënyrë të pautorizuar.

“..poashtu dyshohet se i njëjti nga Serbia ka urdhëruar që të hiqen gëzhojat nga vendi i ngjarjes. Prej aty edhe e ka marrë një gëzhojë zyrtari policor Zharko Jovanoviq, kurse Markoviq largohet nga vendi i ngjarjes ende pa përfunduar ekzaminimi, edhe pse ka qenë i obliguar të sigurojë vendin e ngjarjes, sipas detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

Provat dhe arsyetimi i prokurorisë është konsideruar i bazuar nga Gjykata. Për pasojë, tre të dyshuarve, u është vazhduar masa e paraburgimit deri më 23 dhjetor.

SHPËRNDAJE