Zbulohet arsyeja pse Rakiq nuk po e hap urën

Të parët e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe Faruk Mujka, kanë thënë se nuk do të ketë negocim për çështjen e kufirit të Mitrovicës sado që kryetari i Veriut të Mitrovicës Goran Rakiq po e shtyn qëllimisht hapjen e urës vetëm për ta negociuar edhe një herë çështjen e kufijve.

Ndonëse kanë përfunduar punët në revitalizimin e urës së Ibrit dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, kryetari i kësaj Komune Goran Rakiq i “ka gjetur” punë shtesë kompanisë ndërtimore.

Autoritetet komunale në veri ditëve të fundit po heqin një pjesë të rrugës së shtruar me gurë katrorë. E gjithë kjo për t’u dukur se punimet nuk kanë përfunduar.

Kjo nuk po u pëlqen as serbëve të veriut të Mitrovicës, të cilët mendojnë se këto punë janë duke u bërë për shpëlarje parash. Ata nuk e kuptojnë as idenë e autoriteteve komunale të veriut për hapjen e rrugës “Knjaz Mihajlo”, në të cilën është duke u punuar, shkruan më tutje “Zëri”.

Në anën tjetër, shqiptarët e jugut edhe më tutje përdorin rrugë alternative për të kaluar në veri të Mitrovicës, ndonëse ura është e gatshme për qarkullim të veturave dhe të automjeteve.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se homologu i tij nga veriu qëllimisht është duke zvarritur hapjen e urës sepse dëshiron sërish të hapë dialog për definimin e kufirit të Mitrovicës.

“Sa u përket kufijve administrativë çdo gjë është e qartë dhe nuk do të ketë dialog rreth kësaj çështjeje. Nuk besoj që ka probleme politike për t’u hapur ura, nuk ka as probleme tjera, ndërsa sa i përket definimit të kufirit të Mitrovicës asnjë centimetër nuk mund ta marrë veriu.

Absolut jo, sepse vendimmarrja e lartë në Prishtinë është pajtuar me mendimin tim dhe si e tillë ka përfunduar dialogu në mes të këtyre dy gjërave, urës dhe kufirit administrativ. Nuk dëshiroj as të ketë dialog në mes të këtyre dy çështjeve”, ka thënë Bahtiri.