Zbulohet detaj shokues: Ja si ia mori jetën kushëririt të tij 16 vjeçari nga Gjilani

16-vjeçari A.N. po dyshohet se ka shtënë me pushkë gjuetie për t’ia marrë jetën kushëririt të tij 24 vjeç. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:00 në Gjilan. Polica ka arrestuar edhe babanë e të dyshuarit kryesor.

Gazeta Express, me burime brenda policisë në Gjilan, ka mësuar se ngjarja e rëndë që ka ndodhur të dielën në Verbicë të Zhegocit, në Gjilan, ka qenë si rrjedhojë e një kacafytje që viktima kishte pasur me dy të dyshuarit për kryerjen e krimit.

Krejt kjo, sipas Policisë ka ndodhur për motive të ulëta.

“Dyshohet se kësaj ngjarjeje të rëndë t’i kenë paraprirë mosmarrëveshjet dhe motivet e ulëta që kanë pasur në mes vete viktima dhe të dyshuarit. Hetimet rreth këtij rasti të rëndë janë në vazhdim”, ka njoftuar PK-ja në Gjilan përmes një kumtese.

E në këtë kumtesë Policia ka dhënë detaje për viktimën dhe të dyshuarit.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar dhe fatkeqësisht vetëm ka mundur ta konstatojë se viktima A.N. (1994), ka qenë pa shenja jete, dyshohet nga shkrepja e armës së zjarrit. Policia ka arritur që ti arrestoj dy të dyshuarit shqiptar shtetas të Kosovës banor rezident të fshatit Verbicë e Zhegocit B.N. (1971), si dhe A.N.(2002) ata janë sjellë në stacion policor, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, po ashtu në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pushkë e gjuetisë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, arma është konfiskuar në cilësi të provës materiale”, thotë njoftimi.

Gazeta Express ka mësuar se 16-vjeçari A.N. po dyshohet të ketë qenë personi që ka shtënë me pushkë gjuetie për t’ia marrë jetën kushëririt të tij 24 vjeç.

“Janë identifikuar disa dëshmitarë okularë, të cilët, po ashtu, janë intervistuar nga ana e hetuesve policorë, kurse në ndërkohë në vendngjarje ka ardhur prokurori i shtetit dhe IML-ja të cilët me urdhër të prokurorit të shtetit, trupin e pajetë të viktimës e kanë dërguar për autopsi”, thotë kumtesa e PK-së.

Dy të dyshuarit janë në ndalim policor për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

SHPËRNDAJE