Zbulohet një lloj i ri i kërmillit për faunën e Kosovës

Në kuadër të procesit për hartimin e Librit të Kuq të Faunës së Kosovës, që po realizohet në kuadër të Programit Mjedisor për Kosovën KEP2016, në mesin e shumë llojeve të rralla dhe të rrezikuara të faunës, është zbuluar edhe një lloj i kërmillit që për herë të parë përmendet në listën e llojeve shtazore të Kosovës.

Lloji i kërmillit “Vertigo moulinsiana” është gjetur në zonat e përmbytura të lumit Lepenc në fshatin Drekovc të Ferizajt, në një ekosistem të livadheve me lagështi i rrethuar me toka të punës dhe pyje te plepit.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës bën me dije se lloji i kërmillit ‘Vertigo moulinsiana’ për herë të parë është përshkruar nga Dupuy në vitin 1849, është një lloj indikatori i zonave të Natura 2000, dhe sipas burimeve të deritanishme nga hulumtimet e realizuara në Kosovës, nuk ka qenë i identifikuar më herët në vendin tonë.

“Sa i përket shkallës së rrezikueshmërisë në nivel evropian, sipas kategorizimit nga Unioni Ndërkombëtar i Konservimit të Natyrës (IUCN), lloji është vlerësuar se i takon kategorisë ‘I përkeqësuar’ (Vulnerable A2ac)”, thotë AMMK.

Lloji, sipas AMMK, është identifikuar gjatë hulumtimeve të realizuara në Kosovë nga ekspertët hungarezë Zoltan Feher, Tamas Deli dhe Zoltan Peter Eross, në bashkëpunim me ekspertin nga Kosova, Halil Ibrahimi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Prishtinës, si pjesë e hulumtimeve për hartimin e Librit të Kuq të Faunës së Kosovës, që po realizohet nga Institutit për Mbrojtjen e Natyrës në kuadër të komponentit të dytë të Programit Mjedisor për Kosovën KEP2016.

Të dhëna më të detajuara për llojin janë prezantuar në punimin e publikuar në edicionin e muajit shkurt 2019, të Buletinit të IUCN nga Grupi i Specialistëve të Butakëve, të cilin e gjeni në linkun vijues: KLIKONI KËTU.

SHPËRNDAJE