Zbulohet plani i ekstremistëve serbë, planifikonin komplot në Kosovë që do ta shkundëte Ballkanin

(Titulli original i hulumtimit të BIRN: Monarkistët Serbë, Djathtistët Britanikë dhe një Komplot që Mund ta Shkundë Ballkanin)

Monarkistët serbë të lidhur me rusët dhe një grup britanik i të djathtës ekstreme po kërkojnë t’i pajisin grupet misterioze serbe në veriun e Kosovës për t’i rezistuar asaj që ata besojnë se do të jetë një sulm ndaj serbëve nga ana e shqiptarëve, shkruan Ballkan Insight.

Lart mbi qytetin e ndezur të Mitrovicës, në pjesën veriore të lumit Ibër që i ndan shqiptarët dhe serbët në Kosovë, qëndron kisha moderne e Shën Dimitrit.

Në një natë shtatori të këtij viti, lideri i grupit të padukshëm pro-monarkist Urdhri i Dragoit, pozoi për një fotografi në maje të kodrës me një pako ndihmash për popullatën serbe të kësaj zone: jelekë antiplumb, dronë dhe veshje ushtarake.

Dejan Damnjanoviq, lideri i Urdhrit, postoi një fotografi në faqen e tij në Facebook me një paralajmërim se duhen “veprime në vend të demagogjisë” në përgatitje për rezultatin e propozimit të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për një “diskutim nacional” për të ardhmen e Kosovës.

Përderisa Damnjanoviq tha se fotografia është publikuar me qëllim të përçimit të një mesazhi, përfaqësuesit e Urdhrit në Kosovë thanë për BIRN se pajisjet ishin të dedikuara për ‘airsoft’, në të cilat përfshihen edhe pajisje ushtarake false.

Fotografia ishte larguar nga profili i tij, pas interesimit të BIRN.

Por zbulimet megjithatë ngrisin pyetje rreth aktiviteteve të grupeve nacionaliste dhe atyre të djathtistëve ekstremë në këtë rajon të paqëndrueshëm, sidomos pasi një hulumtim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) gjeti se kjo dërgesë është vetëm një pjesë e një lëvizjeje të madhe për t’i pajisur dhe përgatitur serbët e Kosovës për një sulm të supozuar.

Këto grupe besojnë se po kanoset një ofensivë nga shqiptarët e Kosovës ndaj enklavave të komunitetit serb, sado që nuk ekziston asnjë dëshmi për planifikim të ndonjë operacioni.

Rrjeti i gjerë i grupeve dhe aktivistëve të djathtistëve ekstremë graviton rreth ‘Urdhrit të Dragoit’ që e ka selinë në Beograd dhe që e mban emrin sipas luftëtarëve të krishterë të shekullit 15, të cilët luftuan kundër Perandorisë Osmane dhe të cilët në të kaluarën kanë bërë dërgesa të rregullta për familjet e serbëve të Kosovës në rroba të ngrohta, ushqim dhe gjëra tjera amvisnie.

Ata që kanë lidhje me të, përfshijnë një djathtist të njohur britanik, Jim Doënson-in, i cili përshkruhet si një nga aktivistët më famëkeq të ekstremit të djathtë britanik, dhe të cilit i është ndaluar hyrja në Hungari në fillim të këtij viti.

Përmes një grupi të ri të quajtur Knights Templar International, i cili e paraqt Doëson-in si zëdhënës, ai gjithashtu bën thirrje për dërgesa të pajisjeve siç janë jelekët taktikë dhe dronë për grupet serbe në veri të Kosovës.

Urdhri i Dragoit gjithashtu shpreson se raportet të cilat thotë se i ka ndërtuar me intelektualin djathtist rus Aleksander Dugin, i cili thuhet se e ka ndërmjetësuar paqen mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe atij turk Recep Tayyip Erdogan në fillim të këtij viti, dhe me mikun e ngushtë të Dugin-it, Leonid Savin, do t’i ofrojnë atyre një linjë të hapur në Kremlin në rast të një sulmi ndaj serbëve të Kosovës.

SHPËRNDAJE