Zeka komenton deklaratat e Limajt: Flet edhe për kalimin e mundshëm në ndonjë parti tjetër politike!

“Krejt çka ka thënë Fatmiri në deklaratën e tij, krejt qashtu është.” Kështu ka thënë deputeti i Kuvendit të kosovës, Milaim Zeka kur është pyetur rreth deklaratave të kryetarit të Nismës Socialdemokrate se deputeti në fjalë nuk është pjesë e partisë së tij, shkruan Gazeta Blic

Zeka, në një prononcim për Gazetën Blic tha se është deputet i PAN-it por që nuk është pjesë e Nismës. Tha se me Nismën ka hyrë në listë kur ka qenë koha e zgjedhjeve duke mohuar çdo lidhje tjetër me këtë parti.

Krejt ajo që ai ka thënë ashtu qëndron. Unë jam deputet i pavarur, jam deputet i PAN-it. Në listë kam hyrë me Nismën fillimisht, kur të vjen puna e zgjedhjeve nuk është kurfar shqetësimi kalimi im në një parti apo diku tjetër. Si deputet kam shqetësime krejt tjera“, tha Zeka.

I pyetur nëse do kalojë në ndonjë parti tjetër, ai tha se nuk është edhe aq e rëndësishme. Shtoi se edhe nëse do të kalonte në ndonjë parti politike, nuk do të jetë rob i asnjë lideri.

A dal me 6+, a dal me Duda Baljen, a dal me Albert Kinollin, a ku do që dal, pak ka rëndësi. Rëndësi ka që unë e kam dëshmuar që jam deputet i qytetarëve. Unë nuk jam rob i asnjë partie politike, i asnjë lideri politik. Unë s’kam me qenë rob. Edhe nesër kudo që unë kaloj, qiky Milaimi kam me qenë. Më vjen keq që unë skam buxhet e nuk kam pare me bo parti temen politike. Pasi ligji zgjedhor nuk na e lejon një gjë të tillë’ s’ki qare pa kan dikun në një parti politike“, përfundoi Zeka.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se gjuha e përdorur në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve të fundit është rënduar.

E ai që pothuajse hedh më së shumti akuza dhe përdor gjuhë jo të duhur gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës, është pikërisht bashkë-partiaku i tij, Milaim Zeka.

Pavarësisht kësaj, ai në një intervistë për KosovaPress e justifikon këtë të fundit duke thënë se është i lirë të flasë, pasi sipas tij, Zeka është deputet i pavarur.

Milaimi nuk ka qenë në dorë kurrë, Milaimi është një person i pavarur… Ai është deputet i zgjedhur, Milaimi nuk është anëtar i Nismës, nuk është aktivist i Nismës, e as nuk është në strukturat e Nismës. Ai, thjesht, është një deputet i pavarur që ka konkurruar në listat e Nismës dhe ka qëndrime të pavarura dhe sillet i pavarur si deputet i Kuvendit të Kosovës. Nuk është që as ne nuk e kemi njohur dhe as qytetarët e Kosovës, është qëndrimi i tij, është personaliteti i tij. Mënyrën e komunikimit e ka jo konvencional, por Milaimin kjo e karakterizon, dhe është deputet, dhe është i lirë të flasë deputeti ashtu siç e vlerëson, pastaj secili jep përgjegjësi për fjalën e tij publike”, është shprehur Limaj.

Kujtojmë se Zeka deri më tani ka pasur kritika të ashpra në drejtim të anëtarëve të Nismës lidhur me punësimet familjare./Gazeta Blic

SHPËRNDAJE