Zgjerohet skandali i Dhurata Hoxhës me milionat për lobim me francezët

Përderisa Kosova po vazhdon të mbetet pa liberalizim të vizave, Ministria e thirrur për këtë punë, ajo e Integrimeve Evropiane, po harxhon miliona të taksapaguesve me kompani lobimi në BE, Amerikë, si edhe për të “informuar” për të satën herë qytetarët për procesin e liberalizimit. Së fundmi, ministrja e PDK-së, Dhurata Hoxha ka nënshkruar edhe një kontratë me kompaninë franceze “Majorelle”, për të kërkuar nga ta informacione për agjendën e Kosovës në BE. Për tre muaj këto kontrata të MIE-së i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 1 milionë euro.

Për pak muaj, Ministria e Integrimeve Evropiane nën udhëheqjen e ministres Dhurata Hoxha, që vjen nga radhët e PDK-së, ka nënshkruar kontrata që do t’i kushtojnë miliona buxhetit të shtetit.

“Shërbime të Konsulences Ndërkombëtare për nevojat e MIE-së”, është kontrata e fundit e nënshkruar me kompaninë franceze ‘Majorelle PR & Events SARL’ e që ka afat vetëm gjashtë muaj.

Sipas kësaj kontrate që për pak muaj arrin shifrën 168 mijë uro, nga kjo kompani deri në muajin shtator do të “kërkohen informacione të shpejta dhe cilësore për agjendën e Kosovës lidhur me Bashkimin Evropian.

Po ashtu do të kërkohen këshilla dhe analiza lidhur me integrimin e Kosovës në BE, krijimin e rrjeteve dhe kontakteve në institucionet kryesore të Francës dhe BE-së, për të mbështetur agjendën e integrimit të Kosovës në BE, ndikim pozitiv mbi akterët kyç të BE-së, për të mbështetur agjendën e integrimit të Kosovës në BE, etj., kështu të paktën shkruhet në njoftimin për nënshkrimin e kësaj kontrate që është bërë publik në KRPP.

Në Ministrinë e cila ka nënshkruar këtë kontratë nuk kanë dhënë detaje të mëtutjeshme, duke thënë se gjithçka rreth saj është bërë publike në KRPP.

Gazeta Express ka kontaktuar kompaninë franceze, derisa nga kjo kompani, Sacha Mandel, që deri pak vite më parë kishte punuar si këshilltar për komunikim i Ministrit të Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian ka treguar për punën që bënë kompania e tij në raport me Kosovën.

“Kompania ime dhe Ministria e Integrimit Evropian në Kosovë kanë një marrëveshje publike dhe zyrtare 6-mujore për të mbështetur komunikimin me Parisin për çështjet evropiane lidhur me Kosovën. Kompania ime ofron shërbime të marrëdhënieve me shtypin dhe menaxhimin e marrëdhënieve me udhëheqësit kryesor në opinion,  jo çështjet publike (marrëdhëniet politike). Kjo marrëveshje nuk përfshin asnjë shërbim për askënd tjetër veçse për Qeverinë e Kosovës, në Paris. Është nënshkruar në prill të këtij viti në kohëzgjatje për 6 muaj”, ka bërë të ditur Mandel për Gazetën Express.

Por, kjo si duket nuk është marrëveshja e fundit që ka bërë Dhurata Hoxha. Derisa Kosova po stagnon në fushën e integrimit, më 17 qershor, kur në Qeveri të Kosovës po diskutohej për raportin e Komisionit Evropian, të njohur si raporti i progresit, u nënshkrua edhe një kontratë tjerët për “konsulencë dhe planifikim strategjik”, kësaj here me firmën lobuese amerikane “ “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork, ka raportuar Insajderi.

Ministria e Integrimit Evropian e paraqet këtë kontratë si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, firma nga e cila ka zgjedhur të këshillohet thotë se do të kryejë punë të tjera. Kontrata të cilën Hoxha e lidhi me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” për shërbime të konsulencës, përfshin edhe këshillim në favor të Ministrisë e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Në shkresat e kësaj kontrate që janë raportuar në Departametin Amerikan të Shtetit figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Kontrata në fjalë e nënshkruar muajin e kaluar kap vlerën e 153 mijë eurove, derisa emri i zyrtarit me të cilin do të merret vesh regjistruesi është shefi i Dhurata Hoxhës, Kadri Veseli, që për katër vitet e fundit i ka besuar asaj udhëheqjen e dy ministrive.

Kontrata, e cila sipas ministres Hoxha ka të bëjë vetëm me këshillim e jo me lobim, përmban edhe takime me zyrtarë të Kongresit dhe Administratës amerikane, ka kohëzgjatje prej 9 muajsh – nga hyrja në fuqi, deri në përfundimin e kontratës.

Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë, të cilat do të paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Pagesa mujore që Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.

Njëjtë të domosdoshme dhe urgjente Ministria e Integrimit Evropian e ka cilësuar edhe nënshkrimin e një kontrate me vlerë rreth 1 milionë euro, që për qëllim ka t’i informojë kosovarët për procesin e liberalizimit të vizave. Edhe pse nuk dihet se ku e ka fundin ky proces, Dhurata Hoxha do të fillojë kampanjë informuese për t’i njoftuar qytetarët për këtë proces.

Me 10 korrik, kjo ministri ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimin për përzgjedhjen e kompanisë fituese në kontratën “Shërbime të Informimit Publik për nevojat e MIE-së”. Kompania fituese si e vetme është përzgjedhur “PR Solutions”, ndërsa kontrata në total peshon 881 mijë e 389 euro.

Në dosjen e tenderit, kjo kontratë cilësohet si “urgjente dhe e domosdoshme” dhe thuhet se do të shërbejë “për vetëdijësimin e qytetarëve rreth proceseve të ndryshme integruese”, përcjellë Buletini Ekonomik. Në kontratë specifikisht, përmendet si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave. Kompani fituese është “Pr Solutions”.

Kompani të ndryshme fitojnë miliona euro cdo vit nga autoritetet kosovare për këshillim dhe lobim në favor të politikave të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës – Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme – kanë lidhur kontrata me dy kompani me seli në Uashington: “Pillsbury, Ëinthrop” dhe “Chartëell Strategy Group”. Kompania “Pillsbury Ëinthrop et al” ka një kontratë një-vjeçare me Qeverinë e Kosovës dhe përfiton rreth 50 mijë euro në muaj.

Ndërkaq, Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar vitin e kaluar një marrëveshje me kompaninë lobuese amerikane “Ballard Partners” në vlerë prej mbi 500 mijë eurove.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE