Zidane: Benzema është si Ronaldo

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka lavdëruar sulmuesin e tij, Karim Benzema, pas fitores së thellë 6-0 ndaj Galatasaray në Ligën e Kampionëve.

Ai madje shkon aq larg sa që thotë se largimi i Cristiano Ronaldos nuk po vërehet falë formës së Karim Benzemas.

“Statistikat flasin për të. Ai është një lojtar që e pëlqen futbollin, ne i dimë cilësinë e tij. Është i rëndësishëm për ekipin, ai është shumë grupor dhe luan shumë mirë”, tha fillimisht Zidane.

“Asgjë nuk ka ndryshuar pa Cristianon vetëm se tani Karim është më i pjekur. Shumë gjëra i kanë ndodhur kohëve të fundit që pasqyrohen në fushë. ”

“Ai tashmë është si Cristiano në historinë e këtij klubi. Është diçka e mahnitshme ajo që ai bën dhe ju vetëm duhet të shijoni dhe të përfitoni nga ajo”, përfundoi francezi.

Vlen të theksohet se Benzema u bë dje lojtari i tretë në histori të klubit të Real Madridit që shënon 50 gola në Ligën e Kampionëve – pas Raul dhe Ronaldos.

SHPËRNDAJE