Zyrtare: Ministria konfirmon votat unanime të 5 ministrave për Agron Mustafën

Ministria për Zhvillim Ekonomik, e cila sipas ligjit ka për detyrë mbikëqyrjen e Telekomit të Kosovës, konfirmoi deklaratat dhe dhjetëra shkrimet nëpër media të ndryshme, sipas të cilave Telekomi i Kosovës, edhe për tre muaj do të vazhdojë të menaxhohet nga Drejtori Agron Mustafa. Kjo për shkak se 5 ministra të Qeverisë së Kosovës, votuan në mënyrë unanime për t’ia vazhduar mandatin drejtorit aktual,  Agron Mustafa, të cilit i përfundoi mandatin i rregulltë gjatë javës së kaluar.

Drejtori aktual i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, do të jetë në krye të Telekomit të Kosovës edhe për tre muaj të tjerë, deri në muajin qershor, shtyrje kohore për të cilën 5 ministra të Qeverisë së Kosovës e votuan në mënyrë unanime.

Shtyrja edhe për 3 muaj dhe votimi unanim nga ana e 5 ministrave të qeverisë së Kosovës, erdhi pas një situatë të paprecedentë ligjore, në mungesë të Bordit të kompanisë dhe konkursit për përzgjedhjen e një drejtori të ri, situatë e cila në asnjë ndërmarrje publike në Kosovë nuk ka ndodhur më parë.

Lajmi i cili gjatë ditës së djeshme qarkulloi në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht, nga Ministria për Zhvillim Ekonomik, shkruan Veriu.info.

Kjo ministri, e cila ka për detyrë ligjore mbikëqyrjen e kompanisë, ka saktësuar se votimi unanim nga ana e ministrave ka për qëllim mbajtjen e stabilitetit të kompanisë për një periudhë të shkurtër kohore, deri në qershor, periudhë gjatë të cilës shpresohet që të përzgjidhet bordi dhe drejtori i ri I kompanisë.

“Ministria për Zhvillim Ekonomik e ka pasur gjithnjë parasysh se mungesa e Bordit në Telekomin e Kosovës do të përcillet me vështirësi. Me qëllim që mos të krijohet vakumi,  problemi është trajtuar edhe në takimin e fundit të Këshillit Ndërministrorë për Ndërmarrjet Publike. Këtu, në mënyrë unanime është vendosur që Kryeshefit aktual t’i vazhdohet mandati edhe për tre muaj, me shpresë se gjatë kësaj periudhe do të krijohen rrethanat që çështja të zhvillohet përmes procedurës siç e parasheh ligji”, tha këshilltari i ministrit për Zhvillim Ekonomik, Ibrahim Rexhepi, duke shtuar si i njëjti vendim i është përcjellë edhe Qeverisë.

Vendimi i Këshillit Ndërministror erdhi në një situatë të rrezikshme për Telekomin e Kosovës, e cila u zhvillua kryesisht brenda Telekomit të Kosovës dhe institucioneve tjera, ku Drejtori Financave në TK, Nuredin Krasniqi, filloi kërcënimet e stafit.

Kujtojmë se ai këtë pozitë e kishte marrë me gjithë kritikat e jashtëzakonshme të mediave dhe shoqërisë civile, ngaqë bartë një bagazh të rrezikshëm në menaxhimin e institucioneve të ndryshme, ku veçohet skandali i falimentimit të Bankës Kreditore Prishtina në të cilën ai ishte drejtor dhe ia pati humbur Telekomit të Kosovës mbi 15 milionë euro.

Duke menduar se atij i takon të ushtrojë detyrën e Drejtorit Gjeneral, burimet nga Telekomi i Kosovës bëjnë të ditur se ai filloi të kërcënojë menaxherët e ndryshëm nëpër telekom, me arsyetimin se nuk duhet të punojnë apo të nënshkruajnë kontrata, sepse duhet pritur që ai të vije dhe më pas ato të nënshkruhen.

Informacioni për kërcënimet janë konfirmuar nga disa persona Brenda Telekomit të Kosovës dhe për të njëjtën gjë, është prononcuar edhe vetë drejtori aktual, Agron Mustafa.

Nuredin Krasniqi, në cilësinë e Drejtorit të Bankës Kreditore Prishtina, ia humbi 15 milionë euro Telekomit të Kosovës, duke i dhënë të njëjtat para bashkë me Bordin e Bankës nëpër kompanitë e tyre. I njëjti person, gjithashtu i ka shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje prej 4.5 milionë eurove, përmes vendimeve skandaloze për degradime punëtorësh, detyrash dhe çështje tjera. Të gjitha këto ai i ka bërë në periudha të ndryshme, kur ka ushtruar pozitën e Drejtorit Gjeneral.

Mjafton të kujtojmë që ai shfrytëzoi një periudhë dy tre orëshe, derisa drejtori Agron Mustafa ndodhej duke operuar një person të afërm të familjes dhe në mënyrë të paautorizuar kreu pagesa për Bordin, ku bëhet fjalë për bonuse të cilat vendimi për t’u dhënë u morë dhe u ekzekutua gjatë ditës./Veriu.info

SHPËRNDAJE