Zyrtari i lartë i PDK-së i shkruan letër Albin Kurtit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti, i është drejtuar me një letër, të parit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit pas akuzave që ky i fundit ia ka bërë publicistit, Baton Haxhiu kinse ky ka për qëllim që ta eliminojë politikisht kryetarin e VV-së.

Hoti me anë të një letre publike që ia ka drejtuar Kurit, ka shkruar se sulmi ndaj një mediumi a gazetari, është kulmi i një dobësie për një subjekt politik, për një personalitet politik, është fillimi i mjerimit, i zbehjes së tij, percjell Gazeta Blic

Krejt në fund të letrës ai i ka tërhequr vërejtjen Kurtit duke i thënë që të mos e luaj rolin për t’i përçarë mediumet, sepse, sipas Hotit,  ato janë të fundit sa i përket përgjegjësisë që mund të kenë për proceset e gjithanshme të zhvillimit të kolektivitetit e individit në republikën tonë, dhe, ju them publikisht, po hytë këtu do të fundoseni prej tyre me meritë! Puna dhe detyrat janë të ndara tash e mbi dy mijë vetë. (Kliko mbi reklamë dhe shiko pamjen e plotë ⤵⤵⤵)

Kjo është letra e plotë e Hotit drejtuar Albin Kuritit:

Për Z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

I nderuar Kryetar,

Dua, që në fillim, t’ju uroj për zgjedhjen tuaj kryetar të LVV-së dhe t’ju uroj suksese në rrugëtimin politik me përgjegjësi të reja që keni marrë. Uroj të keni sukses në tejkalimin e problemeve të brendshme nëpër të cilat po kalon partia juaj dhe e uroj që LVV-së mos t’i ndalet kurrë suksesi. E uroj fuqizimin demokratik të LVV-së.

Ndihem shumë mirë që partia ku unë jam nënkryetar i saj, PDK-ja, nuk është marrë me zhvillimet e brendshme të një partie politike konkurrente. Është ky një standard i vetëkuptuar politik e civilizues i një partie demokratike, e cila gjer më sot, ka qenë në ballë të të gjitha proceseve politike, që kanë mundësuar të gjitha projektet më madhore të Republikës dhe vetë ekzistencën e saj. Dua të them se, në këtë rrugëtim, kemi bërë edhe lëshime e gabime, për çka edhe jemi ndëshkuar nga elektorati kurdo që ato kanë ndodhur.

Por ky nuk ishte qëllimi ekskluziv i këtij komunikim, i nderuar Kryetar.

Duke e dëgjuar prej jush se si e goditni një gazetar, një medium, që ka bërë jashtëzakonisht shumë, brenda rregullave e lojës demokratike, për vetë LVV-në, atëherë nuk mund të mos të të sfidoj publikisht për këtë me këtë letër.

Diçka nuk është në rregull në lidhje me mediat kur është në pyetje LVV-ja e, tashmë, edhe qëndrimi i juaj në këtë aspekt.

Një ballafaqim publik medial do ta kisha dëshiruar më tepër dhe e pres një përgjigje pozitive prej jush, për gjithçka që ju mendoni se mund të debatohet, e jo vetëm për qëndrimin jo korrekt me mediat dhe ndaj strategjisë së LVV-së, për linçimin e disa prej mediave, siç është edhe rasti me “Gazetën Express”. Po për këtë vendosni dhe mua më keni atje ku ju i përcaktoni kushtet e rrethanat, mediumet dhe çfarë ju dëshironi!

I nderuar Kryetar,

Dëshiroj t’i nënvizoj tri ndarje në lidhje me qëllimin e këtij komunikimi:

E para, sulmi ndaj një mediumi a gazetari (Klan Kosova), mos përgjigjja ndaj saj apo përpjekja për t’i linçuar ato (“Gazeta Express”) e për t’i sulmuar mediat tjera, është kulmi i një dobësie për një subjekt politik, për një personalitet politik, është fillimi i mjerimit, i zbehjes së tij. Është përtacësi politike, moskontroll, humbje e sigurisë, pafuqi, nervozizëm, jokreativitet, mosdije, shfajësim subjektiv. Është varfëri politike. Ikje nga përgjegjësia e politikës për të cilën njeriu apo subjekti në fjalë politik ekziston brenda saj;

E dyta, rrëfimi i juaj abstrakt mbi «Stanishiqin» dhe të rasteve të sulmeve tjera mediale, e humb besimin se zhvillimet e sukseseve të fundit të LVV-së, si në zgjedhjet qendrore e po ashtu në ato lokale, do të ecin edhe më tej përpara;

E treta, s’ka gazetar e medium të suksesshëm pa pasur relacione me të gjithë, në suaza të bashkëpunimit të një etike profesionale gazetareske.

E drejta e gazetarit, na pëlqeu apo jo, është e drejtë universale e komunikimi të tij me të gjithë palët, e, edhe me pushtuesin në kuadër të etikës e profesionalizmit gazetaresk për një shoqëri që ideal, krahas lirisë e ka edhe demokracinë për informim të opinionit publik.

Te ne këto të dyja, që nga viti 1981, ishin një e të pandashme. Me këtë rast, i nderuar Kryetar, s’dua të ju kujtoj se, edhe dikur, edhe sot, kemi mediume të ndërtua me leje apo investim prej Beogradit, e me të cilat, ju Kryetar i nderuar, sot ‘kënaqeni’, duke bërë politikën tuaj ditore.

Edhe çfarë t’u bëjmë këtyre mediumeve, sipas jush, dhe sipas logjikës së juaj të «Stanishqit» dhe të rasteve tjera që ka pasur LVV-ja?! Me këtë logjike pritet që nesër kur ato mediume të thonë diçka për ju që nuk ju pëlqen, ju do ta bëni veprimin e njëjtë? Do t’i sulmoni!? Mos edhe me bomba?

Më lejoni t’ju përmend vetëm një fakt për njeriun që ju e lidhni me Stanishqin. Në qoftë se ekziston ndonjë projekt i bërë prej shqiptarëve në relacionet ndërmjet të dyja republikave shqiptare në Ballkan, atëherë, së pari, kemi një projekt të vetëm që mund ta përmendim e ai është projekti i Baton Haxhiu, ekskluziv, mbi hapjen e Portës së Parë Mediale të Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Pas këtij projekti ka ardhur Rruga e Kombit, si realizim.

Ky bashkëpunim dhe ky projekt është fuqi, i nderuar Kryetar! Prej kësaj strategjie rrodhën edhe zhvillimet tjera të suksesshme joqeveritare, që shqiptarët i bënë ndërmjet veti, siç janë më vonë edhe portat tjera mediale në relacionet me Maqedoninë e me Shqipërinë (RTV 21, «Gazeta Express», «Koha Ditore», «Lajm» e kështu me radhë.

Baton Haxhiu e dha leksionin e parë të një bashkëpunimi institucional substancial e të qëndrueshëm ndërmjet dy republikave shqiptare. Më mirë kishte qenë të flisnit për mjerimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet të dyja republikave tona, sesa të sulmoni njeriun (e mediat), i cili, i vetëm, bëri më shumë se dy qeveritë për shqiptarët në drejtimin e unifikimit (njëjtësimit) dhe të integrimit të tyre ndërmjet veti, pra në rrafshin kombëtar e shtetëror, në raporte fqinjësore, rajonale e europiane. Aq më tepër të flisni me një gjuhë të papranueshme e pa asnjë argument të vetëm.

Kam shpresuar shumë, vazhdoj ende, se do të jeni politikan i brezit të mijëvjeçarit të tretë ku politika nuk merr kuptime të ngushta, meskine të dikurshme hegjemoniste sllave-ortodokse-anadollake, e që shqiptarët e kanë trashëguar edhe si shkollë, edhe si sundim e edhe si pushtim.

Nuk do të doja t’ju shoh në atë mjerim politik. As që keni nevojë. Problemet e brendshme të LVV-së janë probleme ‘normale’, sepse rritja e madhe ka edhe efektet e saj anësore.

Vazhdoj të besoj se do t’i menaxhoni ato probleme brendapërbrenda, por mos e drejtoni ju, Kryetar i nderuar, gishtin jashtë saj. Mos u bëni si pjesa dërrmuese e politikaneve të Kosovës që kërkojnë vazhdimisht alibi diku tjetër, ndërkohë që 24 orë punojnë për ta çuar pasurinë e republikës në shtëpitë e tyre, në të gjitha mënyrat e mundshme. Më keq! Mos krijoni luftë për pushtet pa e pasur ende atë. Mos kërkoni të jeni të pushtetshëm pa pushtet demokratike sepse do të jeni rreziku themelor i shoqërisë dhe i republikës e, mbi të gjitha, i vetvetes, edhe si Kryetar e edhe si subjekt.

Mos e luani rolin për t’i përçarë mediumet, sepse ato janë të fundit sa i përket përgjegjësisë që mund të kenë për proceset e gjithanshme të zhvillimit të kolektivitetit e individit në republikën tonë, dhe, ju them publikisht, po hytë këtu do të fundoseni prej tyre me meritë! Puna dhe detyrat janë të ndara tash e mbi dy mijë vetë. Media është ‘angulli i shenjtë’ i një shoqërie demokratike edhe atëherë kur brenda saj ka telashe. Ajo është shtylla e parë e një shteti pas fillimit të mijëvjeçarit të tretë realisht.

Krejt në fund, një kërkim falje ndaj Klan Kosovës, «Gazetës Express» e mediumeve tjera, do të ishte një drejtim i dinjitetit politik të një politikani e të një subjekti politik serioz, që ka të ardhme dhe që i takon natyrshëm evropianizimit shqiptar dhe procese integruese euro-atlantike. Në të kundërtën do ta përlyeni veten dhe nuk do të humbni vetëm ju e as subjekti ku ju jeni Kryetar?!

Me respekt, Hoti

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE